
Drejtori i FBI-së, Kash Patel, deklaroi para Kongresit amerikan se Donald Trump nuk ka qenë asnjëherë informator i FBI-së.
Pyetjes së kongresmenit demokrat Eric Swalwell për përfshirjen e mundshme të Trump në dosjen e Jeffrey Epstein, Patel iu përgjigj: “Donald Trump nuk ka qenë, dhe unë mund të flas vetëm për FBI-në, informator i FBI-së.”
Patel sqaroi gjithashtu se nuk ka biseduar kurrë me Trump lidhur me dosjet e Epstein, ndonëse pranoi se ka zhvilluar diskutime të shumta mbi këtë çështje me Prokuroren e Përgjithshme Pam Bondi, përcjell NBC.
Deklarata e tij vjen pas pretendimeve të bëra nga kryetari i Dhomës së Përfaqësuesve, Mike Johnson, i cili më herët kishte thënë se Trump ishte “informator” në këtë çështje.
Më pas Johnson e tërhoqi deklaratën, duke thënë se kishte përdorur terminologjinë e gabuar.
Ndërkohë, Presidenti Donald Trump po zhvillon një vizitë shtetërore në Mbretërinë e Bashkuar, ku sot u takua me Mbretin Charles III në Kështjellën Windsor.
Vizita përfshin edhe një ceremoni ushtarake me pjesëmarrjen më të madhe të trupave të organizuar ndonjëherë për një udhëheqës të huaj të zgjedhur.
Nesër, Trump do të zhvillojë një takim privat me kryeministrin britanik Keir Starmer. Ai është udhëheqësi i parë i zgjedhur që nderohet me dy vizita shtetërore në Britani.