
Kryetari i PR, Fatmir Mediu, ka reaguar pas zgjedhjes së Niko Peleshi si kryetar i ri i Kuvendit të Shqipërisë, duke i bërë thirrje këtij të fundit që t’i japë institucionit dinjitetin kushtetues që i takon. Në një deklaratë për mediat, Mediu u shpreh se Kuvendi nuk mund të jetë më një vegël në duart e ekzekutivit, por duhet të rikthehet në rolin e tij si organi më i lartë përfaqësues dhe kontrollues në një republikë parlamentare.
“Ajo çka pres unë është që kryetari t’i japë dinjitet kushtetues institucionit. Kuvendi nuk është vegël e qeverisë, qeveria është nën Kuvendin. Do të shpresoja që njëherë të vetme kryetari të thotë çfarë kemi mangët nga kjo republikë parlamentare. Ne jemi republikë kryeministrore dhe është e papranueshme. I jep dinjitet Kuvendit duke respektuar rolin e opozitës nga dita e parë në të fundit”, tha Mediu.
Ai kritikoi ashpër qeverinë dhe në veçanti kryeministrin Edi Rama, duke e akuzuar për përqendrim autoritar të pushtetit dhe për kontroll të plotë mbi Parlamentin. Sipas Mediut, kjo tendencë ka ardhur në rritje dhe ka minuar parimet themelore të një demokracie funksionale. Ai theksoi se Kuvendi duhet të jetë një institucion i pavarur, ku respektohet fjala dhe roli i opozitës, dhe jo një zgjatim i vullnetit të qeverisë.