
Presidenti i Republikës, Bajram Begaj, zhvilloi një takim zyrtar në Budapest me Kryeministrin e Hungarisë, Viktor Orban, ku u diskutua për forcimin e marrëdhënieve mes dy vendeve dhe mbështetjen e Hungarisë për procesin e integrimit evropian të Shqipërisë dhe Ballkanit Perëndimor.
Kreu i Shtetit vlerësoi rolin kyç të Hungarisë gjatë Presidencës së Këshillit të BE në vitin 2024, si dhe avokimin e saj të vazhdueshëm për një proces zgjerimi strategjik dhe të drejtë. Në qendër të bisedimeve ishte intensifikimi i dialogut politik, siguria në rajon dhe perspektiva e anëtarësimit në BE si faktor që rrit stabilitetin në Ballkan dhe Evropë.
Në fushën ekonomike, Presidenti Begaj theksoi suksesin e investimeve hungareze në Shqipëri në sektorin bankar, telekomunikacion dhe transport ajror, duke ftuar sipërmarrësit e tjerë hungarezë të ndjekin këtë shembull. “Të mos hezitojnë të ndjekin shembullin e kompanive shumë të suksesshme hungareze që operojnë tashmë në Shqipëri”, – u shpreh ai, duke nënvizuar rëndësinë e rritjes së kapitalit hungarez në vend.
Gjithashtu, Begaj kërkoi mbështetjen e Hungarisë për promovimin e produkteve shqiptare në tregun hungarez dhe përforcimin e bashkëpunimit në fusha si drejtësia, bujqësia, arsimi, kultura dhe edukimi. Ai falënderoi gjithashtu qeverinë hungareze për bursat e dhëna studentëve shqiptarë.
Në kuadër të vizitës, Presidenti Begaj nderoi figurat shqiptare në Hungari, duke vendosur kurora lulesh në monumentet e Heroit Kombëtar, Gjergj Kastrioti Skënderbeu, dhe shenjtores Nënë Tereza në Budapest.