Vendosni fjalën kyçe....

Rusia dhe Bjellorusia testojnë armët bërthamore taktike në manovrat “Zapad-2025”


Kreu i Bjellorusisë, Alexander Lukashenko, njoftoi se Rusia dhe Bjellorusia po zhvillojnë manovra të përbashkëta ushtarake, duke përfshirë stërvitjen e lëshimit të armëve bërthamore taktike ruse të vendosura në territorin bjellorus.

Lukashenko tha se stërvitjet përfshijnë gjithashtu raketën hipersonike Oreshnik të Rusisë, e cila u testua për herë të parë vitin e kaluar gjatë luftës në Ukrainë.

Ai theksoi se të gjitha manovrat, nga përdorimi i armëve konvencionale deri tek raketat bërthamore, janë pjesë e testeve të gatishmërisë luftarake dhe nuk kanë për qëllim kërcënimin e vendeve të tjera, përcjell Reuetrs.

Ministria e Mbrojtjes e Bjellorusisë konfirmoi përdorimin e armëve bërthamore taktike dhe stërvitjen me raketën balistike me rreze të mesme Oreshnik, të cilën Rusia e përdori për herë të parë kundër Ukrainës më 21 nëntor 2024.

Presidenti rus Vladimir Putin kishte deklaruar se këto raketa mund të vendoseshin në Bjellorusi gjatë gjysmës së dytë të vitit 2025.

Stërvitjet “Zapad-2025” përfshijnë manovra në tokë, det dhe ajër. Bombarduesit strategjikë rusë Tu-160 kanë stërvitur lëshimin e raketave cruise mbi Detin Barents, të shoqëruar nga avionë luftarakë MiG-31.

Po ashtu, trupat e Marinës Ruse kanë ushtruar kundër një sulmi amfibiotik të imagjinuar, duke përdorur tanke, dronë, raketa dhe armë automatike, ndërsa flota baltike testoi raketat cruise kundër objektivave të simuluara detare.

Analistët perëndimorë shprehen se këto manovra kanë për qëllim demonstrimin e fuqisë dhe shqetësojnë vendet fqinje për shkak të situatës së tensionuar në Ukrainë dhe pranisë së armëve bërthamore ruse në Bjellorusi.