Vendosni fjalën kyçe....

Rama ironizon Nigel Farage nga Kolegji i Evropës: Merrni pak kamomil para se të na dëgjoni



Kryeministri Edi Rama nuk e la pa shfrytëzuar edhe një herë një podium ndërkombëtar për t’iu përgjigjur në distancë politikanit britanik Nigel Farage, me të cilin ka replikuar shpesh muajt e fundit.

Gjatë fjalës së mbajtur në Kolegjin e Evropës në Bryzh, në zemër të Bashkimit Evropian, Rama iu referua shkurtimisht situatës në Britaninë e Madhe pas largimit nga BE, duke ironizuar deklaratat e politikanëve britanikë për emigracionin shqiptar.

“Shqipëria është vendi me vjedhjen më të ulët të shtëpive në Europë. Anglia thotë ‘jo’, sepse shqiptarët kanë ardhur tek ne. Kështu ndodh kur largohesh nga BE, flet shumë gjepura. Merr pak kamomil para se ta dëgjosh, që të mos të zërë depresioni,” u shpreh Rama, duke iu referuar indirekt Nigel Farage.

Më tej, kryeministri shtoi me ironi:

“Nëse nuk jeni një prej atyre që keni ardhur, atëherë ejani. Shqipëria është një vend që ia vlen ta vizitosh.”

Kujtojmë se përplasjet mes Ramës dhe Farage nisën disa muaj më parë, kur ky i fundit deklaroi në një emision britanik se “1 në 50 banorë në Britani janë shqiptarë”, duke e cilësuar këtë si një kërcënim për sigurinë. Rama e kundërshtoi ashpër këtë deklaratë, duke e quajtur “nxjerrje të urrejtjes përmes shpifjeve”.

Në fjalën e tij në Bryzh, Rama theksoi gjithashtu rolin e Shqipërisë si një partner i rëndësishëm për Bashkimin Evropian dhe përsëriti bindjen e tij se integrimi i vendeve të Ballkanit Perëndimor është “një domosdoshmëri strategjike” dhe jo thjesht një zgjerim.