Vendosni fjalën kyçe....

Mbrojtja e Burrit dhe Gruas kundër Inxhinierisë Shoqërore


Nga Enri Çeno

Ajo që po ndodh nuk është reformë ligjore – është eksperiment shoqëror mbi popullin shqiptar. Me një të rënë të lapsit, qeveria kërkon të zhdukë nga ligji dy fjalët që kanë mbajtur në këmbë civilizimin: Burrë dhe Grua.

Në vend të tyre, na servir “Prindin 1” dhe “Prindin 2” – si të ishim numra në një tabelë Excel, jo qenie njerëzore me identitet, gjini dhe dinjitet.

Kjo nuk është thjesht marrëzi burokratike. Është shkulje me rrënjë e realitetit, një tentativë për t’i imponuar shoqërisë shqiptare një ideologji që mohon natyrën, biologjinë dhe logjikën.

Është shpallje lufte ndaj gjuhës sonë, kulturës sonë, traditës sonë, familjes sonë. Është shkatërrim i vetëdijshëm i themeleve mbi të cilat qëndron kombi.

Filozofikisht, ky projekt është nihilizëm i pastër: çdo gjë relativizohet, çdo gjë shpërbëhet, asgjë nuk mbetet e shenjtë. Nëse burrë e grua nuk kanë më kuptim, atëherë kush jemi ne? Çfarë mbetet nga familja, nga martesa, nga historia, nga vetë njeriu?

Sot po na thonë se nuk ka dallim midis burrit dhe gruas. Nesër do të na thonë se nuk ka dallim midis prindit dhe shtetit, midis fëmijës dhe pronës publike. Kjo është rruga që të çon drejt shoqërisë së zhveshur nga çdo identitet, ku njeriu bëhet masë amorfe e gatshme për t’u komanduar.

Ideologjikisht, kjo është diktaturë e re e korrektësisë politike. Nuk është më mjaftueshëm të respektosh dinjitetin e kujtdo – duhet të pranosh që realiteti vetë të shtrembërohet për t’u përshtatur me dëshirat e një pakice ideologjike. Dhe nëse nuk e pranon, je i “prapambetur”, “homofob”, “armik i progresit”.

Ky është shantazh moral, është totalitarizëm i shekullit XXI, ku pushteti nuk kënaqet të të kontrollojë trupin – por edhe gjuhën, mendjen, ndërgjegjen.

Politikisht, mënyra si është futur ky projekt është fyerje për demokracinë.

Pa debat publik, pa transparencë, pa respekt për shumicën që ende beson se burrë dhe grua janë realitete, jo opinione. Ky nuk është shtet që shërben popullin; ky është shtet që e riformaton popullin sipas një manuali ideologjik të importuar. Dhe kush hesht sot, bëhet bashkëfajtor.

Prandaj, duhet thënë troç: Ne nuk pranojmë të na kthejnë në numra. Nuk pranojmë të fshihet gjuha jonë. Nuk pranojmë të zhduket dallimi i shenjtë mes burrit dhe gruas. Ne nuk jemi laborator social ku Sorosi dhe qeveria testojnë teoritë e tyre. Jemi një popull me histori, me kulturë, me dinjitet. Dhe kemi detyrim moral, politik e filozofik ta mbrojmë atë që është e vërtetë dhe natyrore.

Ky nuk është thjesht debat. Ky është front lufte për shpirtin e shoqërisë. O do mbrojmë realitetin, o do zhdukemi në kaosin e një bote ku gjithçka është e negociueshme.

Ne duhet të themi JO – fort, hapur, pa frikë. Sepse nëse nuk themi JO sot, nesër do të jetë vonë dhe nuk do të kemi më gjuhën me të cilën ta themi.