Vendosni fjalën kyçe....

Seanca për dosjen ‘Partizani’, Berisha nuk paraqitet në gjyq


Në seancën e radhës në GJKKO që po zhvillohet për dosjen “Partizani”, nga të pandehurit është paraqitur fizikisht vetëm Jamarbër Malltezi, ndërkohë Sali Berisha, Fatmir Bektashi, Xhimi Begeja dhe Andia Pustina, janë përfaqësuar vetëm nga avokatët.

Ish-kryeministri Sali Berisha, i cili nuk mori pjesë në seancën e parë të themelit në GJKKO për aferën “Partizani”, komentoi nga SPAK ku ishte për masën e detyrimit për paraqitje.

Ai tha se procesi po nis mbi një bazë jashtëligjore, duke argumentuar se vendimi i fundit i Gjykatës së Lartë përcakton që për korrupsionin pasiv, personi duhet të jetë funksionar publik me fuqi vendimmarrëse.

“Sot fillon procesi gjyqësor. Gjykata e Lartë në një vendim të dytë shpall se për veprën e korrupsionit pasiv duhet detyrimisht që nëpunësi apo funksionari të jetë funksionar publik. Dhe duhet detyrimisht që të kenë pasur fuqi vendimmarrëse. Jamarbër Malltezi nuk ka qenë kurrë zyrtar apo funksionar publik, sepse ligji ka përjashtuar universitetet nga kjo kategori.

Dhe në ligjin e ri që po bëjnë, tani po përpiqen që t’i përfshijnë. Por, po këta zotërinj, që tani në një vendim të muajit korrik, qartësojnë se nuk mund të ketë korrupsion pasiv në qoftë se personi nuk është zyrtar i lartë apo zyrtar jo i lartë se janë dy nene dhe që ka fuqi vendimmarrëse. Tani gjykojeni vetë mbi ç’bazë fillon procesi sot. Fillon mbi një bazë jashtëligjore”, tha Berisha.