Vendosni fjalën kyçe....

Netanyahu takohet me Rubion: Izraeli nuk përjashton sulme të tjera ndaj liderëve të Hamasit pas goditjes në Katar


Kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu nuk e përjashtoi mundësinë e sulmeve të tjera ndaj liderëve të Hamasit, pas goditjes së javës së kaluar në Katar, duke deklaruar se ata nuk do të kenë imunitet “kudo që të jenë”.

Në një konferencë të përbashkët për shtyp me Sekretarin amerikan të Shtetit Marco Rubio, Netanyahu tha se çdo vend ka të drejtë “të mbrojë veten përtej kufijve të tij”.

Vendimi i Izraelit për të shënjestruar drejtuesit e Hamasit në Katar, një aleat i ngushtë i SHBA-së, shkaktoi reagime të ashpra ndërkombëtare dhe kritika nga presidenti amerikan Donald Trump. Hamas deklaroi se gjashtë persona u vranë, por drejtuesit e tij mbijetuan.

Deklaratat e Netanyahut vijnë disa ditë pasi Shtëpia e Bardhë njoftoi se Trump i kishte dhënë Katarit garanci “se një gjë e tillë nuk do të ndodhte më në territorin e tyre”.

I pyetur nga gazetarët nëse SHBA kishte ndonjë rol në sulm, Netanyahu u përgjigj: “E bëmë vetë. Pikë.”

Rubio, i pyetur nga BBC nëse ky sulm kishte dëmtuar marrëdhëniet amerikane në rajon, tha se Uashingtoni vazhdon të mbajë “marrëdhënie të forta me aleatët tanë në Gjirin Persik”.

Dy zyrtarët paraqitën një front të bashkuar, me Rubio që vlerësoi lidhjet teknologjike dhe kulturore mes dy vendeve, ndërsa Netanyahu theksoi se Izraeli nuk ka “aleat më të mirë”.

Takimi u zhvillua në një kohë kur udhëheqësit arabë po mblidhen në një samit në mbështetje të Katarit.

 Kryeministri i Katarit u bëri thirrje fuqive ndërkombëtare të ndalojnë “standardet e dyfishta” dhe të ndëshkojnë Izraelin.

Katar strehon një bazë të madhe ajrore amerikane dhe ka luajtur rol kyç në ndërmjetësimin e përpjekjeve diplomatike për t’i dhënë fund luftës në Gaza, duke pritur byronë politike të Hamasit që prej vitit 2012.

Gjatë vizitës në Murin e Perëndimit në Jeruzalem, Netanyahu e përshkroi marrëdhënien SHBA-Izrael si “të qëndrueshme si gurët e Murit”, ndërsa Rubio vendosi një shënim në mur sipas traditës.

Ndërkohë, forcat izraelite kanë nisur shembjen e banesave në Gaza City dhe pritet të fillojnë operacione tokësore në lagjet perëndimore të qytetit.

OKB ka paralajmëruar se përshkallëzimi i ofensivës në një zonë ku tashmë është shpallur uria do të çojë civilët në një “katastrofë edhe më të thellë”.

Takimi Netanyahu-Rubio vjen pak ditë para se Asambleja e Përgjithshme e OKB-së të diskutojë çështjen palestineze, ku disa aleatë kryesorë të SHBA-së – përfshirë Britaninë, Francën, Kanadanë, Australinë dhe Belgjikën – pritet të njohin shtetin e Palestinës.

Në të njëjtën kohë, qeveria izraelite ka miratuar projektin e shumëdebatuar të vendbanimeve E1, që praktikisht do të ndajë në dy pjesë Bregun Perëndimor, ndërsa ministri i Financave Bezalel Smotrich ka paraqitur planin për aneksimin e rreth katër të pestave të territorit.

Izraeli ka ndërtuar rreth 160 vendbanime në Bregun Perëndimor dhe Jerusalemin Lindor, ku sot jetojnë rreth 700,000 izraelitë hebrenj, krahas 3.3 milionë palestinezëve. Vendbanimet konsiderohen të paligjshme sipas së drejtës ndërkombëtare.

Rubio pritet të vizitojë edhe Parkun Arkeologjik “Qyteti i Davidit” në lagjen palestineze Silwan, i cili është kritikuar si përpjekje për të politizuar arkeologjinë në kurriz të banorëve palestinezë.