Vendosni fjalën kyçe....

Makina për grurë, Kina e Rusia i kthehen mënyrës së vjetër të shkëmbimit të mallrave


Në një transaksion të identifikuar nga Reuters nga dy burime tregtare, makinat kineze u shkëmbyen me grurë rus. Sipas njërit prej burimeve, partnerët kinezë në marrëveshje u kërkuan homologëve të tyre rusë të paguanin me grurë.

Partnerët kinezë blenë makinat në Kinë me monedhën vendase juan. Partneri rus bleu grurë me rubla. Pastaj gruri u shkëmbye me makina.

Reuters nuk mundi të përcaktonte vëllimet e tregtuara, as mekanizmin me të cilin tregtarët vendosën vlerën e grurit ose të makinave.

Në dy transaksione të tjera, farat e lirit u shkëmbyen me mallra, duke përfshirë pajisje shtëpiake dhe materiale ndërtimi nga Kina, tregojnë deklaratat doganore. Ekspertët me njohuri për tregtinë e jashtme të Rusisë thanë se një nga marrëveshjet e lirit, e regjistruar në një deklaratë të vitit 2024 nga shërbimi doganor i Rusisë i rajonit të Uralit, vlerësohej të kishte një vlerë prej rreth 100,000 dollarësh, shkruan Reuters.

Kina është një importuese e madhe e farës së lirit rus, e përdorur në proceset industriale dhe si produkt ushqimor.

Në transaksione të tjera, metalet u dërguan në Kinë në këmbim të makinerive, shërbimet kineze u shkëmbyen me lëndë të para dhe një importues rus bleu alumin për të paguar një kompani kineze. Disa transaksione kanë lejuar importimin e mallrave perëndimore në Rusi pavarësisht sanksioneve, thanë dy burime me njohuri për transaksionet, pa dhënë hollësi se për cilat mallra bëhet fjalë.

Në forumin e biznesit të Ekspozitës Kazan në gusht, kompanitë kineze përmendën zgjidhjen midis problemeve që pengojnë zhvillimin e tregtisë dypalëshe. Xu Xinjing, kryetar i “Hainan Longpan Oilfield Technology” tha se tregtia mall me mall mund të jetë një zgjidhje.

Duke folur në konferencë, Xu tha se “në kushtet e tanishme të pagesave të kufizuara”, shkëmbimi mall me mall ofron mundësi të reja për ndërmarrjet në Rusi dhe vendet aziatike.