Vendosni fjalën kyçe....

Berisha: Kjo prokurori është e shtetit dhe nuk është e asnjë individi


Nga SPAK, ku u paraqit për masën e detyrimit për paraqitje, Sali Berisha sulmoi kryeprokurorin Altin Dumani, duke thënë se ai do të largohet si “puçist” që ka përdhosur institucionin dhe ka fjetur mbi dosjet e krimit.

Berisha deklaroi se Dumani mori një përgjigje përfundimtare nga DASH dhe se mandati i tij ka përfunduar, duke shtuar se çdo përpjekje për ta zgjatur është e papranueshme. 

“Troplini mori një përgjigje përfundimtare, mandati i tij skadon në dhjetor dhe ky largohet si kryetar i këtij institucioni si një puçist që e zhyti në krim, që fjeti mbi dosjet e krimit dhe që unë e garantoj se për secilën prej tyre do përballet me ligjin. Kjo prokurori është prokurori e shtetit dhe nuk është e asnjë individi.

Dhe ai do përballet me ligjin. E vlerësoj dhe e çmoj shumë qëndrimin e ri të Departamentit të Shtetit në SHBA, i shprehur nga përfaqësuesja e këtij vendi në Tiranë se mandati i tij mbaron dhe kjo nuk ka komente. Ndërkohë që më parë kishte një qëndrim tjetër.

Dhe e garantoj DASH se ky qëndrim i ri është një ndihmë e vërtetë për luftën kundër krimit dhe karteleve të drogës në Shqipëri.

Lajmi kryesor ishte, mandati yt përfundoi dhe hiq dorë nga çdo përpjekje për të zgjatur dhe përdhosur kushtetutën. Ka patur një qëndrim zyrtar tjetër, 8 muaj më parë.

Ka patur qëndrim tjetër dhe kjo është me domethënie të madhe, shumë të madhe.

Ky ndryshim i administratës së re, është një ndryshim që rrit shpresën se këtu mund të luftonte krimi dhe kartelet”, tha Berisha.