
Kreu i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla, pas takimit me kryetarin e Kuvendit Niko Peleshi dhe kreun e grupit parlamentar të PD-së Gazment Bardhi, deklaroi se propozimi për ngritjen e 11 komisioneve parlamentare është i nevojshëm për fazën ku ndodhet Shqipëria.
Balla theksoi se Komisioni për Integrimin Europian duhet të drejtohet nga mazhoranca, pasi vendi ndodhet në një moment historik të procesit të anëtarësimit në Bashkimin Europian.
“Çështjen e ndryshimit të komisioneve e kam inicuar edhe katër vite më parë. Kuvendi i Shqipërisë duhet të ketë organizim të ri me 11 komisione, pra nevojës që Kuvendi ka që më në fund të kemi komision parlamentar për diasporën. Duhet të reflektohet momenti historik ku ndodhet vendi,” tha Balla.
Ai shtoi se propozimi i Partisë Socialiste synon ngritjen në nivelin më të lartë të mundshëm të Komisionit për Çështjet Europiane.
“Në fazën ku ndodhet Shqipëria, ku kërkohet integrim në BE gjatë viteve në vijim, Komisioni për Integrimin duhet t’i takojë mazhorancës,” theksoi kreu i grupit të PS-së.