
Sekretari amerikan i Shtetit Marco Rubio, zbarkoi në Izrael të dielën në mëngjes dhe u prit nga ambasadori i SHBA-së në Izrael, Mike Huckabee dhe bashkëshortja e tij, Janet Huckabee.
Para nisjes, Rubio u tha gazetarëve se po vizitonte Izraelin për të kuptuar se si ngjarjet e javës së kaluar në Katar do ndikonin në vijimin e luftës, shkruan Haaretz.
Ai tha gjithashtu se deklaratat izraelite mbi zgjerimin e vendbanimeve dhe sovranitetin në Bregun Perëndimor janë “një reagim izraelit ndaj përpjekjeve në mbarë botën për të njohur një shtet palestinez”, duke shtuar se SHBA-të i kishin paralajmëruar vendet se “do ketë një kundërreagim ndaj kësaj nga izraelitët, dhe mendoj se kjo është ajo që keni parë”.
Sekretari Rubio, tha se presidenti Trump “nuk ishte i kënaqur” me sulmin izraelit në Katar, por “kjo nuk do ndryshojë natyrën e marrëdhënies sonë me izraelitët” dhe marrëdhënia do mbetet e fortë.
Ai përsëriti se qëllimi i presidentit është të lirojë menjëherë të gjithë pengjet, të gjallë dhe të vdekur, të mposhtë Hamasin, të përfundojë luftën dhe të rindërtojë Gazën, dhe ekziston shqetësimi se atentati ndaj udhëheqjes së Hamasit në Katar mund t’i ndikojë këto.
Rubio, tha se “Hamasi nuk mund të vijojë të ekzistojë nëse qëllimi është paqja në rajon”, përpara një udhëtimi në Lindjen e Mesme.