
Familjarët e Besnik Koçiut, i cili ndërroi jetë në paraburgimin e Burgut 313, akuzojnë institucionet për vdekjen e familjarit të tyre dhe kërkojë drejtësi. Koçiu u arrestua më 12 korrik 2025 pasi akuzohej për plagosjen e një personi me armë sportive.
Ai vdiq dhjetë ditë më vonë dhe sipas familjarëve, gjykata e Tiranës nuk mori parasysh kërkesën e avokatit për masë më të lehtë sigurie për shkak të problemeve shëndetësore të rënda, me diabet dhe ishemi në tru, sipas tyre.
“Ka pasur probleme të rënda shëndetësore. Ai nuk duhet të rrinte qoftë dhe një moment, qoftë dhe një orë në paraburgim, ku ata e lanë dhe nuk morën asnjë lloj masë për shëndetin e tij. Vuante nga një goditje në tru, ishemi, diabet dhe shumë sëmundje të tjera. Ne paraqitem të gjithë dokumentacionin që i përkiste për pjesën e shëndetit të vëllait tonë, por ata nuk e morën parasysh, se çfarë bëhej me të”, tha motra e viktimës, Eranda Sejdini.
Sipas familjarëve, për pesë orë radhazi Besnik Koçiu shfaqi probleme shëndetësore, nuk iu dha ndihma dhe u mbajt i izoluar në një qeli të veçantë.
“Pa diskutim që shteti është përgjegjës. Unë vetë e mendoj që përgjegjës janë pjesë e njerëzve që kanë qenë kompetent aty, që nuk i kanë dhënë ndihmën e parë.” – tha ajo, raporton BW.
Familja i është drejtuar prokurorisë me një kallëzim penal dhe kërkon hetim të plotë të ngjarjes dhe dënimin e personave përgjegjës
“Ne kërkojmë të hapen kamerat dhe drejtësia te shkojë deri në fund. Të paktën të dimë sesi ka vdekur vëllai jonë. Nuk kemi asnjë përgjigje nga shteti, se çfarë dhe si ka ndodhur në atë paraburgim”, tha Eranda Sejdini.
Vëllai i Besnikut, Maksimi u shpreh se nuk do të ndalet derisa të gjejë të vërtetën për vëllanë.
“Nuk do të ndalem derisa ta gjej të drejtën e vëllait. Përgjegjësia fillon që te gjykata, që nuk morën parasysh asnjë lloj gjëje,. Si gjykojnë këta, një gjykatës një prokuror. Që nga këto e kërkoj drejtësinë. Dua të shikoj kamerat, dua dosjen e vëllait tim, çdo njeri të marrë përgjegjësinë për çfarë ka ndodhur”, tha ai.