Vendosni fjalën kyçe....

Dy gjigantët minerarë shkrihen në perandorinë 50 miliardë dollarëshe


Anglo American ka rënë dakord të bashkohet me Teck Resources të Kanadasë, duke krijuar një gjigant të minierave të bakrit me vlerë 50 miliardë dollarë, ndërsa beteja globale për të siguruar minerale jetike nxit konsolidimin në të gjithë industrinë.

Anglo, e listuar në bursën e Londrës, do zotërojë 62.4 përqind të grupit, me aksionarët e Teck që zotërojnë pjesën tjetër.

Kompania, e njohur si Anglo Teck, do ketë selinë qendrore në Vancouver, një goditje e mëtejshme për sektorin e minierave në Britani pasi BHP u largua nga Londra në vitin 2022, shkruan FT.

Por kompania e bashkuar, e cila do drejtohet nga drejtori ekzekutiv i Anglo, Duncan Wanblad, do mbajë listimin e saj kryesor të aksioneve në Londër, me listime dytësore në Johannesburg, Toronto dhe Nju Jork.

Marrëveshja shënon një bast të madh për bakrin nga Anglo American, e cila prodhoi 770,000 ton bakër vitin e kaluar. Teck pritet të prodhojë deri në 525,000 ton në vitin 2025 dhe ka plane për të zgjeruar ndjeshëm prodhimin deri në fund të dekadës.

Anglo dhe Teck tashmë zotërojnë pjesë të një kompleksi gjigant bakri në Kili – minierat Collahuasi dhe Quebrada Blanca – të cilat do bashkohen pas marrëveshjes. Kompanitë vlerësuan se bashkimi do të sillte kursime vjetore të kostos para taksave prej 800 milionë dollarësh.