
Rumania ngriti avionë luftarakë të shtunën, pasi një dron shkelu hapësirën ajrore të vendit gjatë një sulmi rus mbi infrastrukturën ukrainase pranë kufirit, njoftoi Ministria e Mbrojtjes.
Incidenti ndodhi pak ditë pasi Polonia, pas kërcënimit të sulmeve me dron, dislokoi avionë polakë dhe aleatë dhe mbylli aeroportin e qytetit lindor të Lublinit, vetëm tre ditë pasi kishte rrëzuar dronë rusë që shkelën hapësirën e saj ajrore me mbështetjen e avionëve të NATO-s.
Rumania, anëtare e BE-së dhe e NATO-s, e cila ndan një kufi 650 kilometra me Ukrainën, ka raportuar shpesh rënie fragmentesh dronësh rusë në territorin e saj që nga nisja e luftës.
Të shtunën, dy avionë F-16 u ngritën në ajër, ndërsa autoritetet paralajmëruan banorët e qarkut juglindor Tulcea, pranë Danubit dhe kufirit ukrainas, që të strehoheshin.
Sipas ministrisë, avionët zbuluan një dron në hapësirën ajrore kombëtare dhe e ndoqën atë deri sa humbi nga radarët rreth 20 kilometra në jugperëndim të fshatit Chilia Veche.
“Droni nuk ka fluturuar mbi zona të banuara dhe nuk ka paraqitur rrezik të menjëhershëm për popullsinë,” theksoi deklarata, përcjell Reuters.
NATO kishte njoftuar një ditë më parë planet për të forcuar mbrojtjen e krahut lindor të Europës, pas veprimit të Polonisë për rrëzimin e dronëve rusë – rasti i parë i qëllimit të mjeteve ajrore të Moskës nga një anëtar i aleancës që prej nisjes së luftës.
Këtë vit, ligjvënësit rumunë miratuan një ligj që i jep ushtrisë të drejtën të rrëzojë dronë që shkelin hapësirën ajrore në kohë paqeje, bazuar në nivelin e kërcënimit dhe rrezikun për jetën e qytetarëve dhe pronën.
Megjithatë, ligji ende nuk ka rregulloret e zbatimit.