
Dhjetëra mijëra protestues marshuan nëpër qendër të Londrës të shtunën, duke mbajtur flamuj të Anglisë dhe Britanisë, për një demonstratë të organizuar nga aktivisti anti-emigrantë dhe anti-islam Tommy Robinson.
Policia ka thënë se do ketë një prani të madhe protestuesish në kryeqytetin britanik. Një kundërprotest “Bashkë kundër Racizmit” do mbahet gjithashtu aty pranë, pas një vere shumë të ngarkuar në Britani që ka parë protesta mbi emigracionin dhe lirinë e fjalës.
Deri në mesditë, dhjetëra mijëra protestues u mbushën në rrugët në jug të lumit Tamiz, përpara se të niseshin drejt ëestminster-it, selisë së parlamentit të Mbretërisë së Bashkuar.

Demonstruesit mbanin flamurin e Unionit të Britanisë dhe Kryqin e Kuq e të Bardhë të Shën Gjergjit të Anglisë, ndërsa të tjerë sollën flamuj amerikanë dhe izraelitë dhe mbanin kapelat MAGA të Presidentit të SHBA-së Donald Trump. Ata brohoritën slogane kritike ndaj kryeministrit Keir Starmer dhe mbajtën pankarta, përfshirë disa që thoshin “dërgojini në shtëpi”. Disa pjesëmarrës sollën fëmijë.
Robinson e ka cilësuar marshimin “Unite the Kingdom” si një festë të lirisë së fjalës. Pritet gjithashtu që të mbahet zi për Charlie Kirk, aktivistin konservator amerikan të vrarë të mërkurën.
“Qindra mijëra njerëz tashmë mbushin rrugët e Londrës qendrore ndërsa ne bashkohemi si një trup i vetëm për liritë tona”, tha Robinson në X.

Robinson, emri i vërtetë i të cilit është Stephen Yaxley-Lennon, e përshkruan veten si një gazetar që ekspozon përgjegjësitë e shtetit dhe numëron miliarderin amerikan Elon Musk midis mbështetësve të tij. Partia më e madhe politike anti-emigrante në Britani, Reform UK, e cila ka kryesuar sondazhet e opinionit publik në muajt e fundit, ka mbajtur largësi nga Robinson, i cili ka disa dënime penale.
Emigracioni është bërë çështja kryesore politike në Britani, duke lënë në hije shqetësimet për një ekonomi në rënie, ndërsa vendi përballet me një numër rekord kërkesash për azil. Më shumë se 28,000 emigrantë kanë mbërritur me anije të vogla përgjatë Kanalit Anglez deri më tani këtë vit.
