
Rruga Kir-Lotaj-Ndërlysaj është bllokuar ditën e sotme pas rrëzimit të një masivi shkëmbor.
Ajo është pjesë e rrugës së Dukagjinit që është në ndërtim e sipër. Fatmirësisht nga rrëzimi I masivit shkëmbor nuk ka pasur të lënduar apo dëe të tjera materiale përveç bllokimit të rrugës.
Ndërhyrja është aktualisht e pamundur sipas kryebashkiakut të Shkodrës Beci që u bën thirrje banorëve të udhëtojnë në rrugë alternative.
Postimi i Becit
“Që prej ditës së djeshme, si pasojë e shembjes së një masivi shkëmbor në rrugën Kir–Lotaj–Ndërlysaj, pjesë e rrugës së Dukagjinit, Loti II, i projektit që po financohet nga Fondi Shqiptar i Zhvillimit, në vendin e quajtur “Prroni i Çiverit”, fshati Kir, Njësia Administrative Pult, është bllokuar segmenti rrugor. Fatmirësisht nuk është shënuar asnjë dëmtim i kalimtarëve apo i punonjësve të firmës që po kryen punimet.
Firma kontraktuese, pavarësisht angazhimit për lirimin e këtij segmenti, e ka pasur të pamundur zhbllokimin e rrugës për shkak të shembjeve të vazhdueshme, të cilat vijojnë edhe sot.
Është tepër e rrezikshme të përdoren fadromat apo eskavatorët, pasi masivi shkëmbor mbi aksin e rrugës ka një lartësi prej 150–200 metrash.
Sipas ekspertëve, duhet pritur stabilizimi i terrenit për të ndërhyrë në kushte sigurie. Kërkojmë mirëkuptimin e banorëve dhe i ftojmë të përdorin rrugë alternative për të lëvizur në drejtim të Shkodrës. Sapo ekspertët e sigurisë të japin dakordësinë për vijimin e punimeve, firma që po kryen punimet në këtë segment rrugor do të bëjë zhbllokimin e këtij aksi rrugor.”