Vendosni fjalën kyçe....

Asgjësohen 9300 bimë kanabis në Shkodër


Rreth 4400 bimë kanabis janë gjetur gjatë një aksioni në Shkodër. Lënda narkotike e mbjellë u kap në njësitë Shosh e Pult.

Për rastin në fjalë prokuroria ka proceduar në gjendje të lirë kreun e fshatit Ndrejaj  me iniciale N.V.

Në fshatra Shllak e Temal janë asgjësuar rreth 4500 bimë kanabis ndërsa policia po heton për pronarët e lëndës narkotike.

Njoftimi

“Shërbimet e Drejtorisë Vendore të Policisë Shkodër dhe të komisariateve në varësi vijojnë me intensitet kontrollet në të gjithë territorin e qarkut, në vijim të operacionit policor të koduar “Koordinata”, me qëllim goditjen e rasteve të kultivimit të bimëve narkotike.

Në territorin e njësive administrative Shosh e Pult, shërbimet e Komisariatit të Policisë Shkodër gjetën dhe asgjësuan 4403 bimë të dyshuara narkotike, Cannabis Sativa. Në vijim të veprimeve procedurale, u referuan materialet në Prokurori, ku nisi procedimi në gjendje të lirë, për veprën penale “Shpërdorimi i detyrës”, për kryetarin e fshatit Ndrejaj, shtetasin N. V.

Në territorin e njësive administrative Kastrat e Qendër, shërbimet e Komisariatit të Policisë Malësi e Madhe, në bashkëpunim me DVKM Shkodër, gjetën dhe asgjësuan 347 bimë të dyshuara narkotike, Cannabis Sativa. Gjithashtu, shpallën në kërkim shtetasin A. H., 52 vjeç, pasi dyshohet se kishte kultivuar 46 bimë narkotike në banesën e tij, në fshatin Kamicë.

Në territorin e njësive administrative Shllak e Temal, shërbimet e Komisariatit të Policisë Vau i Dejës gjetën dhe asgjësuan 4547 bimë të dyshuara narkotike, Cannabis Sativa.

Në territorin e njësisë administrative Fierzë, shërbimet e Komisariatit të Policisë Pukë gjetën dhe asgjësuan 20 bimë të dyshuara narkotike, Cannabis Sativa.

Vijon puna për identifikimin, kapjen dhe vënien para përgjegjësisë penale të autorëve të kultivimit të bimëve narkotike.

Operacioni antikanabis i koduar “Koordinata” vijon në të gjithë territorin e qarkut Shkodër.”