Vendosni fjalën kyçe....

Sot seanca e parë e legjislaturës së 11-të të Kuvendit, pritet të betohen 140 deputetët


Sot, më 12 shtator, në orën 10:00, nis punimet legjislatura e 11-të e Kuvendit të Shqipërisë, e zgjedhur nga votimet e 11 majit. Në sallë do të jenë të pranishëm 140 deputetë, prej të cilëve 72 janë për herë të parë pjesë e Parlamentit.

PS hyn me 83 deputetë,  nga të cilët 53 i ka emra të rinj, ndërsa PD dhe aleatët me 50 deputetë, 14 prej tyre prurje të reja. PSD  hyn me 3 deputetë, partia Mundësia me 2 deputetë, ndërsa Lëvizja Bashkë dhe Nisma Shqipëria Bëhet me nga një deputet.

Seancën e hap deputeti socialist Vasil Llajo, pasi Sali Berisha dhe Tritan Shehu refuzuan detyrën si deputetët më të vjetër.

Fillimisht do të ngrihet komisioni për verifikimin e mandateve, duke shqyrtuar dosjet nga KQZ, ndërsa deputetët e rinj do të betohen pasdite.

Mazhoranca pritet të propozojë Niko Peleshin për kryetar të Kuvendit, me votim me fletë dhe kuti. Pas shpalljes së rezultatit, Llajo i lë vendin kryetarit të ri, që do të mbajë edhe fjalën e tij të parë.

Në seancën pasuese, kryeministri Edi Rama do të prezantojë kabinetin “Rama 4” dhe programin qeverisës për votëbesim, përpara se të shkojë për dekretim dhe betim te presidenti Bajram Begaj.