
Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara miratoi të premten “Deklaratën e New York-ut”, një iniciativë e Francës dhe Arabisë Saudite që mbështet zgjidhjen me dy shtete dhe dënon Hamasin, ndërsa kritikon veprimet e Izraelit.
Votimi përfundoi me 142 vende pro, 10 kundër dhe 12 abstenime.
Deklarata synon të krijojë një rrugë të “pakthyeshme” drejt krijimit të një shteti palestinez.
Vendet që votuan kundër ishin Izraeli, Shtetet e Bashkuara, Argjentina, Hungaria, Mikronezia, Nauru, Palau, Papua Guinea, Paraguaji dhe Tonga, sipas Ynet.

Vendet që abstenuan përfshijnë Shqipërinë, Kamerunin, Republikën Çeke, Kongon, Ekuadorin, Etiopinë, Fijin, Guatemalën, Maqedoninë e Veriut, Moldavinë, Samoan dhe Sudanin e Jugut.
Ambasadori izraelit në OKB, Danny Danon, kritikoi ashpër rezolutën: “Ky është një propozim bosh që injoron realitetin — nuk është diplomaci. Është një deklaratë njëanshme që mbështet gënjeshtrat e armiqve tanë dhe legjitimon Hamasin. Ky propozim nuk sjell paqe; ai zgjat luftën. Kur Hamasi përshëndet këto vendime, është e qartë se kjo është një shpërblim për terrorin, jo një hap drejt paqes.”
Deklarata përfshin kritika të ashpra ndaj Izraelit, duke përmendur “zhvendosjet e detyruara” dhe ndryshimet territoriale, goditjet e IDF që “shkaktuan një katastrofë humanitare”, dhe nënvizon rolin “thelbësor” të UNRWA-s, duke premtuar vazhdim të financimit dhe të drejtën e kthimit për palestinezët.
Ajo kërkon gjithashtu që Izraeli të ndalojë menjëherë “aktivitetet e ndërtimit të vendbanimeve dhe dhunën e kolonëve”, lidh normalizimin rajonal me krijimin e shtetit palestinez, dhe përfshin një klauzolë për rishikimin e kurrikulave arsimore, jo vetëm në territoret palestineze, por edhe në Izrael.
Sekretari amerikan i Shtetit do të theksojë prioritetet e përbashkëta
Në këtë sfond, Sekretari amerikan i Shtetit Marco Rubio do të vizitojë Izraelin dhe Britaninë të shtunën.
Në Izrael, ai do të paraqesë prioritetet e SHBA-së mbi luftën me Hamasin dhe çështjet më të gjera të sigurisë në Lindjen e Mesme, duke rikonfirmuar angazhimin amerikan për sigurinë e Izraelit.

Rubio do të theksojë qëllimet e përbashkëta: të sigurohet që Hamas të mos rimarrë kontrollin e Gazës dhe të lirohen të gjithë pengjet.
Ai gjithashtu do të takohet me familjet e pengjeve për të nënvizuar se lirimi i të afërmve të tyre mbetet prioritet kryesor.
Pas Izraelit, Rubio do të udhëtojë në Britani për të diskutuar bashkëpunimin SHBA-Britani mbi sfidat globale, përfshirë përfundimin e luftës Rusi-Ukrainë, parandalimin e armëve bërthamore nga Irani, lirimin e pengjeve nga Hamas dhe arritjen e një armëpushimi në Gaza.