
Kreu i Partisë Demokratike, Gazment Bardhi, e ka cilësuar vendimin e Presidentit Bajram Begaj për të mandatuar kryeministrin Edi Rama në ngritjen dhe funksionimin e ministres virtuale “Diella” si qesharak dhe antikushtetues.
Bardhi thekson se dekreti bie ndesh me nenet 96, 97, 102 dhe 103 të Kushtetutës, sipas të cilave ministër mund të emërohet vetëm një shtetas shqiptar, mbi 18 vjeç dhe me aftësi mendore.
Ai shton se “Karagjozllëqet e kryeministrit nuk mund të shndërrohen në akte juridike të shtetit shqiptar” dhe akuzon kryeministrin se po tenton ta shndërrojë Republikën në një “palaçollëk”.

“Dekreti i Presidentit të Republikës për të ngarkuar kryeministrin me ngritjen dhe funksionimin e ministrit virtual “Diella”, përveçse qesharak, është tërësisht antikushtetues.
Ai bie ndesh me nenet 96, 97, 102 dhe 103 të Kushtetutës.
Ministër mund të emërohet: (i) shtetasi shqiptar; (ii) që ka mbushur 18 vjeç; dhe (iii) është i aftë mendërisht (shih nenet 45 dhe 103 të Kushtetutës). Cilat nga këto cilësi ka ministrja “Diella”?!
Karagjozllëqet e kryeministrit nuk mund të shndërrohen në akte juridike të shtetit shqiptar. Ushtar Bajrami po tenton ta shndërrojë Republikën në një palaçollëk, siç është ai vetë.”