
Qeveria zvicerane po shqyrton ngritjen e një rafinerie ari në Shtetet e Bashkuara ose rritjen e kapaciteteve të përpunimit atje, si pjesë e një plani për të ulur tarifat e vendosura nga presidenti amerikan Donald Trump mbi importet zvicerane, raportoi Reuters duke iu referuar burimeve të afërta me çështjen.
Trump vendosi më 7 gusht një tarifë prej 39% mbi mallrat zvicerane, duke përmendur deficitin tregtar mes dy vendeve. Deficiti kryesisht lidhet me eksportet zvicerane të produkteve farmaceutike, kimike dhe arit.
Sipas burimeve, qeveria zvicerane dhe sektori privat po bashkëpunojnë për të gjetur mënyra për të reduktuar këtë deficit, shkruan Reuters.
Një ndër opsionet është që industria e arit në Zvicër të përmbushë kërkesën amerikane përmes rafinerimit brenda territorit të SHBA-ve.
“Për aq kohë sa ari po ndikon në rritjen e deficitit, industria duhet të shqyrtojë mënyra për ta shmangur këtë, madje edhe duke plotësuar kërkesën amerikane nga brenda SHBA-ve,” tha Christoph Wild, president i Shoqatës Zvicerane të Metaleve të Çmuara, pa dhënë detaje nëse një rafineri e re do të ndërtohet.
Ministri i Ekonomisë, Guy Parmelin, zhvilloi javën e kaluar bisedime që ai i cilësoi “konstruktive” me zyrtarët më të lartë ekonomikë të Trump. Burimet thanë se plani për industrinë e arit ishte tashmë në tryezë.
Farmaceutika synon prodhim në SHBA
Përveç arit, një pjesë tjetër e strategjisë është zhvendosja e prodhimit farmaceutik në SHBA, për të plotësuar kërkesën e tregut amerikan me produkte të prodhuara atje.
Në këtë mënyrë, kompanitë zvicerane shpresojnë të shmangin çdo tarifë të re që mund të rezultojë nga një hetim i veçantë i Uashingtonit mbi sigurinë kombëtare dhe varësinë nga importet e barnave.
Shoqata e industrisë farmaceutike, Interpharma, paralajmëroi se përpjekjet për të zhdukur deficitin e mallrave duke ngarkuar kompanitë farmaceutike do të dëmtonin ekonominë zvicerane, megjithëse pranoi se ekziston një tendencë drejt rritjes së prodhimit lokal për tregjet e mëdha.
Aspekte të tjera të planit
Zvicra po ashtu planifikon të rrisë blerjet e saj të pajisjeve ushtarake amerikane dhe të lehtësojë shitjen e gazit natyror të lëngshëm (LNG) nga SHBA përmes dhe drejt Zvicrës.
Një tjetër element është transferimi i më shumë tregtive energjie nga Londra drejt Zvicrës, për të balancuar flukset tregtare.