Vendosni fjalën kyçe....

Përmbytjet vështirësojnë qarkullimin në Durrës, situata përkeqësohet edhe në qytetet e tjera



Reshjet e dendura të shiut janë rikthyer në vendin tonë, duke shkaktuar probleme të shumta në disa qytete, kryesisht në Vlorë, Lezhë dhe Durrës. Situata më e rënduar është raportuar në qytetin bregdetar të Vlorës, ku disa lagje dhe rrugë kryesore janë përmbytur.

Në Vlorë, zona më të prekura janë lagjja “Pavarësia 3”, Bulevardi Kryesor, rruga “Gjergj Arianiti” dhe zona pranë stadiumit “Flamurtari”. Ndërkohë, përmbytje janë regjistruar edhe në lagjet “28 Nëntori”, “Pavarësia” dhe “Kushtrimi”. Rrjedhja e ujërave të shiut ka vështirësuar qarkullimin dhe ka shkaktuar dëme në biznese dhe banesa.


Edhe në Durrës, reshjet intensive kanë shkaktuar përmbytje në disa akse rrugore. Kryqëzimi pranë kompleksit të shkollave të mesme dhe segmenti te Shëtitorja “Taulantia”, që të çon drejt zonës së Currilave, janë mbuluar nga uji, duke krijuar vështirësi për qytetarët dhe automjetet.


Në Lezhë, raportohet për përmbytje në disa zona periferike dhe rritje të nivelit të ujit në kanalet e kullimit.

Autoritetet lokale kanë qenë në terren për të menaxhuar situatën dhe për të ndihmuar banorët e prekur. Ndërkohë, qytetarëve u bëhet thirrje të shmangin lëvizjet e panevojshme, sidomos në zonat e përmbytura.