
Mbi 100 organizata globale mediatike i kanë bërë thirrje qeverisë së Shteteve të Bashkuara të tërheqë një propozim që do të shkurtonte ndjeshëm kohëzgjatjen e lejes së gazetarëve të huaj për të jetuar dhe punuar në vend.
Sipas rregulloreve aktuale, gazetarët që mbajnë vizën I lejohen të qëndrojnë në SHBA për periudha pesëvjeçare që mund të rinovohen pafundësisht.
Departamenti i Sigurisë Kombëtare (DHS) nën drejtimin e Kristi Noem, një aleate konservatore e Presidentit të SHBA-së Donald Trump , dëshiron ta shkurtojë këtë periudhë në vetëm 240 ditë .
Çfarë kanë thënë mediat botërore për propozimin?
Në një deklaratë të përbashkët , 118 grupe mediatike globale — përfshirë DW — i kërkuan administratës Trump të mbajë në fuqi programin e vizave I.
Lejimi i gazetarëve të kalojnë “vite, jo muaj” në vend i shërben interesave të SHBA-së duke “siguruar që politikat, kultura dhe lidershipi i Amerikës t’u komunikohen qartë dhe saktë audiencave ndërkombëtare në gjuhët e tyre”, thuhet në deklaratë.
Ndërprerja e sistemit aktual “rrezikon ta lërë botën më pak të informuar rreth lajmeve dhe çështjeve aktuale amerikane”, shtoi ajo.
“Kombet rivale dhe kundërshtarët e fuqishëm nuk do të humbasin kohë duke mbushur boshllëkun që rezulton me narrativa rreth SHBA-së që u shërbejnë interesave të tyre përpara së vërtetës”, paralajmëruan grupet mediatike.
“SHBA-të gjithmonë kanë qëndruar për hapje, liri shprehjeje dhe një shtyp të fortë e të pavarur. Kufizimi i aksesit në mediat e huaja rrezikon të minojë këtë trashëgimi sepse imiton vendet ku liria e shtypit është pothuajse e zhdukur. Kjo do të dëmtonte, jo do ta rriste, pozicionin global të Amerikës”, thanë ata.
Në një deklaratë, Drejtori i Përgjithshëm i DW-së, Peter Limbourg, tha: “Ndryshimet e propozuara në rregulloret e vizave amerikane do të ndikojnë drejtpërdrejt në aftësinë tonë për të ruajtur një prani të fortë gazetareske në Shtetet e Bashkuara”.
“Kjo do të kufizonte aksesin për korrespondentët tanë ndërkombëtarë, duke minuar misionin tonë për të ofruar mbulim të pavarur të lajmeve. Deutsche Welle qëndron fort me partnerët e saj ndërkombëtarë të medias, ndërsa u bëjmë thirrje autoriteteve amerikane të sigurojnë kushte të drejta për organizatat e huaja të medias”, tha Limbourg.
Reporterët pa Kufij (RSF) i bënë thirrje gjithashtu administratës Trump që ta “braktis” propozimin, duke thënë se “nuk shërben për asnjë qëllim tjetër përveçse të ngrejë barriera të panevojshme për gazetarët e huaj dhe do të prodhojë një efekt frenues mbi lirinë e shtypit ”.
Kush tjetër do të preket nga ndryshimet e propozuara të vizave?
DHS gjithashtu dëshiron të kufizojë mbajtësit e vizave F dhe J, të cilat ndikojnë në studentët e huaj dhe njerëzit që vizitojnë si pjesë e programeve të shkëmbimit.
Aty shpjegohej se që nga viti 1978, studentët e huaj që mbajnë viza F kanë qenë në gjendje të qëndrojnë në SHBA për “një kohë të pacaktuar pa shqyrtim dhe verifikim të mëtejshëm”.
Këta studentë “kanë përfituar nga bujaria e SHBA-së dhe janë bërë studentë ‘të përjetshëm’, të regjistruar përgjithmonë në kurse të arsimit të lartë për të qëndruar” në vend, tha DHS në një njoftim për shtyp .
“Për një kohë shumë të gjatë, administratat e kaluara kanë lejuar studentët e huaj dhe mbajtësit e tjerë të vizave të qëndrojnë në SHBA praktikisht për një kohë të pacaktuar, duke paraqitur rreziqe për sigurinë, duke kushtuar shuma të panumërta parash nga taksapaguesit dhe duke i disavantazhuar qytetarët amerikanë”, tha një zëdhënës i DHS-së.
“Ky rregull i ri i propozuar do t’i jepte fund këtij abuzimi një herë e përgjithmonë” dhe do të lehtësonte “barrën mbi qeverinë federale për të mbikëqyrur siç duhet studentët e huaj dhe historinë e tyre”, shtoi ajo./DW