Vendosni fjalën kyçe....

Manja pas emërimit si kryetar i Komisionit të Ligjeve: Mezi pres të nis këtë kapitull të ri për ta çuar Shqipërinë më afër BE-së


Ulsi Manja ka reaguar pas emërimit si kryetar i Komisionit të Ligjeve, duke e quajtur Kuvendin “shtëpinë e tij natyrale”. Ai falënderoi kryeministrin Rama për mbështetjen dhe bashkëpunëtorët gjatë mandatit si ministër, duke e cilësuar atë një “shkollë jete”.

Manja uroi Besfort Lamallarin për detyrën e re si ministër i Drejtësisë dhe theksoi se mezi pret të nisë kapitullin e ri për reformimin e kuadrit ligjor dhe afrimin e Shqipërisë me BE.

“Rikthim në shtëpinë time natyrale – Kuvendin e Shqipërisë, si Kryetar i Komisionit të Ligjeve.

Sot, në Asamblenë Kombëtare të Partisë Socialiste, hodhëm themelet e vizionit Shqipëria 2030 në Evropë. Për mua, ky është një moment i veçantë rikthimi në Kuvend, pas një periudhe të mrekullueshme në krye të Ministrisë së Drejtësisë.

Ka qenë nder dhe një shkollë jete të shërbeja si ministër, nën drejtimin e Kryeministrit Edi Rama, të cilit i jam mirënjohës për mbështetjen e pakursyer dhe besimin e dhënë në këto afro 17 vite të rrugëtimit tim politik në Partinë Socialiste. Faleminderit nga zemra të gjithë bashkëpunëtorëve të mi në ministri dhe institucionet e varësisë – ju jeni një aset i pazëvendësueshëm i shtetit shqiptar.

Një falënderim të veçantë dua të përcjell edhe për kolegët e mi ministra, me të cilët ndamë punën, sfidat dhe arritjet gjatë këtyre katër viteve. Fryma e skuadrës që ndërtuam bashkë u kurorëzua me sukses në rrugën e integrimit dhe në fitoren plebishitare të 11 majit.

Urime mikut tim, ministrit të ri Besfort Lamollari, i bindur se do të çojë përpara me përkushtim punën tonë të përbashkët.

Mezi pres të nis këtë kapitull të ri, për reformimin e kuadrit ligjor dhe për ta çuar Shqipërinë edhe më afër Bashkimit Europian”, shkruan Manja.