
Kryeministri Rama premtoi sot kthimin e shëndetësisë shqiptare në një shëmbëlltyrë të Evropës në Ballkan. Teksa foli për programin qeverisës, ai tha se vendi sot ka një shërbim shëndetësor të mirëpajisur në aparatura dhe me rroga të rritura për personelin.
“Fakti që kemi sot spitale të denja në aspektin e infrastrukturës dhe pajisjeve, me rroga ku e ku me atë që kemi pasur nuk mafton të themi një shërbim të denjë. Po sa vjet duhet të presim akoma tani që i kemi hedhur të gjitha këto themele. Lajmi i mirë është se është në dorën tonë që ta bëjmë. Do e bejmë Shqipërinë 2030 një shëmbelltyrë të Evropës në Ballkan edhe në shërbimin shëndetësor. Do kemi aleanca ndërkombëtare në menaxhim e furnizim me barna, dixhitalizim.” – tha Rama.
Kreu i qeverisë shtoi se qeveria e re dhe parlamenti duhet të bëjë çmos që të zhbëjë atë që e quajti rrjetë nepotizmi në administratë.
“Duhet t’i hyjmë zhbërjes së rrjetës së nepotizmit në administratë. Shqiptarët na votuan pa na njohur, pa na parë dhe ne duhet të bëjmë që fëmijët e tyre të trajtohen barabar me tanët.” – shtoi Rama.