
Tulsi Gabbard, drejtoresha e inteligjencës kombëtare, ndërmori hapin e pazakontë për t’i urdhëruar Agjencisë së Sigurisë Kombëtare të tërhiqte një raport inteligjence mbi Venezuelën, sipas personave të informuar mbi këtë çështje.
Raporti, i cili mbetet i klasifikuar, përshkruante punën për Venezuelën të Richard Grenell-it, një ish-zyrtar i lartë i inteligjencës në administratën Trump, i cili tani drejton Qendrën Kennedy.
Lajmi për tërheqjen erdhi në mes të një debati mbi politikën e administratës Trump ndaj vendit. Z. Grenell, që shërben si i dërguar në Venezuelë, ka avokuar për negociata me qeverinë e saj autoritare, ndërsa Sekretari i Shtetit Marco Rubio ka shtyrë për një qasje më të ashpër.
Por zyrtarë të tjerë thanë se tërheqja e raportit kishte pak lidhje me kampet rivale brenda administratës Trump dhe kishte të bënte më shumë me identifikimin e papërshtatshëm të një zyrtari të lartë brenda një dokumenti të inteligjencës.
Raporti ishte përqendruar tek bisedat dhe negociatat e zotit Grenell me Nicolás Maduro-n, udhëheqësin autoritar të Venezuelës, sipas një personi të njohur me çështjen.
Raporti dhe tërheqja u bënë disa muaj më parë, në një kohë kur z. Grenell po negocionte kthimin e emigrantëve pa dokumente në Venezuelë, sipas personave të informuar për raportin.
Presidenti Trump e kishte emëruar zotin Grenell si të dërguar në Venezuelë dhe i kishte kërkuar të udhëhiqte negociatat. Z. Rubio po punonte në një pistë tjetër për negociatat mbi Venezuelën.
Raporti origjinal u shpërnda në gjithë komunitetin e inteligjencës. Por më vonë, Shtëpia e Bardhë ka urdhëruar agjencitë e spiunazhit të kufizojnë numrin e personave që marrin inteligjencë mbi Venezuelën.
Agjencia e Sigurisë Kombëtare dhe agjencitë e tjera të inteligjencës zakonisht tërheqin raporte kur informacione të reja i bëjnë të vjetrit të gabuara ose kur zbulohen gabime.
Por shënimi i paklasifikuar që tërhiqte raportin për Venezuelën vuri në dukje se puna e A.S.K.-së mbetej e saktë.
“Raporti është i saktë dhe në përputhje me të gjitha politikat, direktivat dhe udhëzimet e A.S.K.-së; megjithatë, D.I.K. i udhëzoi A.S.K.-së ta tërheqë raportin,” thuhej në njoftimin e tërheqjes, duke iu referuar drejtores së inteligjencës kombëtare.
Shumë persona të informuar mbi çështjen këmbëngulën se raporti u tërhoq sepse nuk fshihte në mënyrë adekuate identitetin e zotit Grenell, duke e përshkruar atë si të dërguarin presidencial në Venezuelë.
Zonja Gabbard u ka kërkuar agjencive të inteligjencës të tregojnë kujdes të veçantë me raportet që ose identifikojnë drejtpërdrejt zyrtarë të administratës Trump ose janë të shkruara në mënyra që mund t’i identifikojnë lehtësisht ata.
Gjatë administratës së parë Trump, çështja e “zbulesës së maskës” së zyrtarëve amerikanë që kapeshin në përgjime të komunikimeve u bë një problem i debatueshëm.
Si pasojë, zonja Gabbard ka kërkuar të shmangë identifikimin e amerikanëve në raportet e inteligjencës për shkak të shqetësimeve për privatësinë dhe liritë civile, thanë disa zyrtarë amerikanë.
Disa zyrtarë të administratës thanë se bërja e ndryshimeve në raportet e inteligjencës është e zakonshme, duke shtuar se dokumenti i A.S.K.-së u ribotua më vonë, pasi iu hoqën informacionet identifikuese.
Por zyrtarë të tjerë e kundërshtuan këtë version dhe thanë se nuk kishte prova se një raport i përditësuar u prodhua apo u shpërnda.
Raporti i A.S.K.-së duket se kishte përfshirë informacione mbi zotin Grenell që ishin mbledhur nga agjencia e spiunazhit.
Nuk është e qartë nëse kjo përfshinte biseda mes dy të huajve apo biseda që vetë z. Grenell kishte me z. Maduro.
A.S.K. nuk duhet të synojë qëllimisht mesazhet e amerikanëve për përgjim, por gjithsesi mbledh komunikime që përfshijnë ose kanë lidhje me amerikanë ndërkohë që synon të huaj jashtë.
Grenell refuzoi të komentojë.
Edhe Agjencia e Sigurisë Kombëtare dhe një zyrtar i Shtëpisë së Bardhë nuk komentuan, ndërsa Zyra e Drejtoreshës së Inteligjencës Kombëtare nuk iu përgjigj menjëherë një kërkese për koment.
Grenell ka qenë në kundërshtim me Sekretarin Rubio, i cili është gjithashtu këshilltar i sigurisë kombëtare, mbi politikën e administratës Trump për Venezuelën.
Grenell ka shtyrë për një qasje të bazuar në marrëveshje që synon arritjen e akordeve me qeverinë e Maduro-s që mund të përfitonin kompanitë amerikane të energjisë.
Ndërsa Rubio ka mbajtur një qëndrim shumë më të ashpër, ka vënë veton mbi çdo marrëveshje energjie dhe ka mbështetur qasjen më militariste që administrata po ndjek aktualisht ndaj Venezuelës.
Një marrëveshje për lirimin e pengjeve të mbajtura në vend dështoi këtë vit, pasi z. Grenell dhe Departamenti i Shtetit i Rubio-s ndoqën marrëveshje të ndara.
Grenell po shtynte për një akord që do t’i lejonte kompanive amerikane të naftës të bënin biznes në Venezuelë.
Chevron ka qenë veçanërisht e interesuar të vazhdojë operacionet e saj të naftës në Venezuelë, një burim jetik të ardhurash për qeverinë e saj autoritare.
Rubio e kundërshtoi këtë lëshim.
VINI RE: Ky material është pronësi intelektuale e The New York Times