Vendosni fjalën kyçe....

“S’e njohim farsën e 11 majit, do hyjmë në parlament për qytetarët” – Këlliçi


Deputeti i PD-së Belind Këlliçi pohoi se deputetët demokratë do shkojnë në parlament për të bërë opozitë të fortë e për të mos lënë asnjë front beteje.

I ftuar në emisionin “Task Forcë” në Syri Tv, ai përsëriti se PD-së iu grabitën 25 mandate në zgjedhjet e 11 majit dhe se selia blu nuk e njeh rezultatin.

“Vendimmarrja ka qenë në unison dhe e prerë. Nuk mundet PD të njohë këtë farsë elektorale të ndodhur më 11 Maj. Por, për shkak se jemi të vendosur për të bërë betejë dhe vendimmarrja ka qenë sërish unisone për të mos lënë asnjë front bosh. Padiskutim PD do shfrytëzojë çdo hapësirë, çdo medium ku mund t’i bëhet rezistencë kësaj autokracie të instaluar tashmë që kthehet në një diktaturë moderne. Qëndrimi ynë është i qartë. Ne pretendojmë që padiskutim na janë vjedhur 25 mandate, prandaj pretendojmë dhe jemi të qartë e kemi prova e fakte që i disponojmë, i kemi bërë publike dhe do vijojmë t’i bëjmë publike që PD i janë vjedhur të paktën 25 mandate. Prandaj ne po themi që duhet të shkojmë në Parlament, ku na takonin 75 ulëse, ndërkohë nuk mund të lësh këto 50 që ke që t’i kanë dhënë gjysmë milioni qytetarësh shqiptarë, pasi je shpresa e vetme që mund të bëhet ndryshimi në këtë vend. Pra, sigurisht që eksperimentin e djegies së mandateve e provoi PD në vitin 2019 dhe efektet kanë qenë katrastrofale përsa i përket ecurisë së mëpasshme jo vetëm jetës parlamentare por dhe Partisë Demokratike, sepse kosto ka qenë e jashtëzakonshme.” – tha Këlliçi.

Demokrati shtoi se PD do jetë në parlament në mbrojtje të interesit të qytetarëve.

Pra, thënë këtë në Parlament, PD do jetë aty në mbrojtje të interesit të qytetarëve për të bërë opozitë, për të bërë transparencë për qytetarët, për të folur për problemet e qytetarëve. Për të folur jo vetëm për çështjet politike që janë alfa dhe omega për çdo gjë që ndodh në vendin tonë, por për të folur edhe për hallet e qytetarëve të zakonshëm, për çështjen ekonomike, për shpopullimin e Shqipërisë, për spitalet që nuk kanë ilaçe. – shtoi Këlliçi.