
Protestuesit organizuan demonstrata në gjithë Francën të mërkurën, duke ndërprerë trafikun, duke djegur kazanë plehrash dhe duke u përleshur me policinë në një përpjekje për të “bllokuar gjithçka” në shenjë zemërimi ndaj klasës politike dhe shkurtimeve të planifikuara të buxhetit.
Forcat e sigurisë u vendosën në gjithë vendin për të hequr çdo bllokadë sa më shpejt të ishte e mundur. Dhjetëra protestues u arrestuan dhe pati disa përleshje me policinë.
Demonstratat u zhvilluan në një kohë trazirash politike: dy ditë pasi parlamenti rrëzoi kryeministrin Francois Bayrou pas humbjes së mocionit të votëbesimi mbi planet e tij për të zbutur borxhin në rritje të vendit.
Të martën, presidenti Macron emëroi kryeministrin e tij të pestë në më pak se dy vjet, duke zgjedhur një aleat të ngushtë, Sebastien Lecornu, gjë që zemëroi politikanët e krahut të majtë.

Në Paris, zjarrfikësit hoqën objekte të djegura nga një barrikadë e ngritur nga studentët për të bllokuar trafikun pranë një shkolle të mesme. Policia e Parisit tha se 132 persona ishin arrestuar në demonstratat atje deri më tani, shkruan Reuters.
“Është e njëjta gjë, është e njëjta gjë, është Macron problemi, jo ministrat”, tha Fred, një përfaqësues i degës së transportit publik RATP të sindikatës CGT në një protestë në Paris.
Lëvizja “blloko gjithçka” – një shprehje e gjerë pakënaqësie pa një udhëheqje të organizuar dhe pas një thirrjeje mediat sociale – u shfaq në internet në maj midis grupeve të krahut të djathtë, thanë studiuesit dhe zyrtarët, por që atëherë është marrë përsipër nga e majta.
Në qytetin perëndimor të Nantes, protestuesit bllokuan një autostradë me goma dhe kontenierë të djegur. Policia përdori gaz lotsjellës për të shpërndarë njerëzit që përpiqeshin të pushtonin një rrethrrotullim në të njëjtin qytet.
Në Montpellier, në jugperëndim, policia u përlesh me protestuesit që kishin ngritur një barrikadë për të bllokuar trafikun në një rrethrrotullim.