Vendosni fjalën kyçe....

Besart Logu mohon akuzat e SPAK: Nuk kam marrë para për ndikim të paligjshëm, po tentohet kriminalizimi i avokatit


Avokati Besart Logu ka reaguar pas kontrollit të ushtruar mëngjesin e sotëm nga agjentë të Krimit Ekonomik të Policisë së Shtetit, të cilët i komunikuan vendimin e GJKKO për masën e sigurimit, kontrollin personal, të banesës dhe të zyrës ku ai ushtron aktivitetin.

Në një postim në rrjetet socilae, Logu thekson se gjatë kontrollit nuk është gjetur asnjë send i paligjshëm apo provë që lidhet me hetimin dhe se ndaj tij nuk ka asnjë veprim që mund të ngrejë dyshime për vepër penale.

“Gjatë gjithë karrierës sime si avokat kam shërbyer me devotshmëri dhe përgjegjshmëri të lartë, duke patur prioritet vetëm interesin e klientit brenda kornizave ligjore,” – shkruan Logu, duke nënvizuar se nuk është përfshirë në asnjë episod korrupsioni apo akt të paligjshëm.

Ai shton se çdo veprim i tij lidhet vetëm me punën e avokatit, përfshirë ngritjen e mbrojtjes dhe takimet me familjarë apo të njohur të klientit, edhe nëse këta kanë qenë agjentë të infiltruar.

Logu shprehet se është i gatshëm të përballet me akuzat, pasi është i bindur në një “të vërtetë absolute”:

Në reagimin e tij, ai ngre shqetësimin se “po tentohet kriminalizimi i sjelljes së avokatit”, duke iu referuar edhe ndryshimeve të fundit në Kodin Penal, që sipas tij, e shndërrojnë në element penal edhe rastin kur një avokat merr më shumë para sesa shërbimin që ka ofruar.

 

Postimi i Besart Logut:

Reagim zyrtar!

Sot, rreth orës 08:30 të mëngjesit, tek po çoja vajzën në kopësht e për të nisur më pas rutinën ditore, jam ndaluar në hyrjen e pallatit nga agjentë të Krimit Ekonomik të Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Shtetit ku më është komunikuar vendimi i GJKKO në lidhje me masën e sigurimit dhe të kontrollit personal, të banesës si dhe të zyrës ku ushtroj aktivitetin.

Gjatë kontrollit nuk u gjend asnjë send i paligjshëm apo çdo provë tjetër që ka lidhje me objektin e hetimit.

Nga sa më sipër sqaroj se:

  1. Nga ana ime nuk është kryer asnjë veprim që mund të ngrejë dyshime për ndonjë vepër penale të mundshme. Gjatë gjithë karrierës time si avokat kam shërbyer me devotshmëri dhe përgjegjshmëri të lartë duke patur prioritet vetëm interesin e klientit dhe kjo brënda kornizave që rregullon ligji.
  2. Në lidhje me rastin konkret, nuk jam përfshirë në asnjë episod korrupsioni apo akti të paligjshëm. Kam bërë vetëm punën e avokatit, si në ngritjen e mbrojtjes ashtu edhe në takime me familjarë e të njohur të klientit qofshin këto edhe agjentë të infiltruar. Jam në gjendje të provoj çdo akt timin dhe t’i dal për zot të gjitha pretendimeve që ka ngritur Prokuroria. Kjo sepse nuk ka ndonjë gjë të re përveçse përditshmërisë së një avokati.

Lajmi i keq në gjithë këtë histori është se po tentohet kriminalizimi i sjelljes së avokatit. Kjo tendencë duket edhe tek ndryshimet e Kodit Penal ku qeveria vlerëson si element penal edhe rastin kur ke marrë më shumë para nga sa ke ofruar shërbim.

Kështu, jam i gatshëm të përballem me këtë akuzë sepse jam i bindur në një të vërtetë absolute:

▪︎ Nuk kam marrë para për ushtrim të ndikimit të paligjshëm.

▪︎ Nuk kam takuar asnjë zyrtar drejtësie

▪︎ Si dhe nuk është marrë mbrapsht asnjë shërbim i kundraligjshëm.

Këtë e provon çështja në fjalë dhe e gjithë ecuria e saj.

I vetmi problem momental për mua është shqetësimi i krijuar tek familja e tek të njohurit të cilët gjej rastin t’i falenderoj per suportin moral që më kanë dhënë.

P.S. kur isha para agjentëve të Policisë mu kujtua skeçi i Fadil Hasës ku prokuroria politike e kohës i komunikonte akuzat dhe ai fliste me vete “Sa i rrezikshëm paskam qenë”!