
Kreu i PD-së Berisha tha sot në mbledhjen e kryesisë se SHBA-ja nuk e uroi kryeministrin Rama për zgjedhjet duke I konsideruar ato jo të lira.
Ai përsëriti akuzat ndaj qeverisë për organizimin e një farse zgjedhore më 11 maj duke përdorur të gjitha mjetet.
“Qeveria e SHBA-së vendosi të mos e urojë Edi Ramën, sepse i konsideroi zgjedhjet si jo të lira. Bëmë një betejë me regjimin. Partia-shtet përdori gjitha burimet në zgjedhje. Data e zgjedhjeve ishte ditë krimi e vërtetë, ku nuk u la përpjekje pa u bërë, që të kontrollohet numri më i madh i mundshëm i qytetarëve dhe vota e tyre. Grupi i punës i Partisë Demokratike ka zbardhur shumë parregullsi në zgjedhje. Na treguan kuti të ardhura nga diaspora me rezultate 93 përqind për partinë e krimit, manipulimi shkoi në forma groteske. U kontrollua vullneti i zgjedhësve. Ftoj Kryesinë e PD mos të njohë zgjedhjet, ishin farsa më e shëmtuar në 32 vite.” – tha Berisha.
Ai i bëri thirrje kryesisë të mos i njohë zgjedhjet, por njëkohësisht shtoi se deputetët duhet të jenë në parlament.
“Në këtë diktaturë, ne nuk duhet të lëmë asnjë hapësirë bosh. Kërkohet qëndrim, kërkohet strategji për të ndryshuar raportin tonë me regjimin që ka uzurpuar çdo pushtet. Unë ftoj Kryesinë që të mos njohim këto zgjedhje. Njohja e këtyre zgjedhjeve do të bënte PD bashkëautore në një farsë më të shëmtuarën në 32 vite. Duke kërkuar këtë nga Kryesia, unë di se ka një debat të marrim pjesë apo jo në Parlament. Ja u them ju personalisht, unë mendoj se në këtë diktaturë ne nuk duhet të lëmë asnjë hapësirë bosh. Kërkohet qëndrimi si do ndryshojmë ne në raport me diktaturën që ka uzurpuar pushtetin. Asnjë nga ne nuk ka bërë sa kemi mundur. Tani kërkohet një ribrand, një ndryshim. Beteja jonë kërkon energji të reja, forca të reja dhe forma të reja. Edhe demokratëve që mendojnë se është më mirë mos futemi në parlament. Jo nuk është më mirë. Në një diktaturë duhet të falenderosh Zotin që të jep mundësinë ta luftosh atë. Në këtë diktaturë e pëson si Salinji, por përsëri s’mund ta mohojmë se mundësitë për ta luftuar janë dhe kërkon një angazhim dhe përkushtim shumë të madh nga secili prej nesh, kërkon shfrytëzimin e të gjitha kapaciteteve në një betejë për t’u rikthyer shqiptarëve votën e lirë e cila me Edi Ramën nuk ndodh kurrë. Me Edi Ramën nuk ka zgjedhje.” – shtoi Berisha.