Vendosni fjalën kyçe....

“BE-ja në prag shkatërrimi, duhen ndryshime të menjëhershme” – Orban


Kryeministri hungarez Viktor Orban ka pohuar se BE-ja është në prag të kolapsit dhe nuk do mbijetojë përtej dekadës së ardhshme pa një “riorganizim themelor strukturor” dhe shkëputje nga lufta e Ukrainës.

Duke folur të dielën në qytetin Kotcse, Orban tha se BE-ja nuk ka arritur të përmbushë ambicien e saj themelore për t’u bërë një fuqi globale dhe nuk mund të përballojë sfidat e kohës për shkak të mungesës së një politike të përbashkët fiskale. Ai e përshkroi bllokun se po hyn në një fazë “shpërbërjeje kaotike dhe të kushtueshme” dhe shtoi se buxheti i BE-së për vitet 2028-2035 “mund të jetë i fundit nëse asgjë nuk ndryshon”.

“BE-ja është tashmë në prag të shpërbërjes dhe ka hyrë në një gjendje copëzimi. Dhe nëse kjo vijon kështu do mbetet në histori si rezultati përfundimtar depresiv i një eksperimenti dikur fisnik”, tha Orban.

Ai propozoi shdnërrimin e BE-së në “rrathë koncentrikë”, shkruan RT.

Unaza e jashtme do përfshinte vendet që bashkëpunojnë në sigurinë ushtarake dhe energjetike, rrethi i dytë do përfshinte anëtarët e tregut të përbashkët, i treti do përmbante ata që përdorin të njëjtën monedhë, ndërsa më i brendshmi do përfshinte anëtarët që kërkojnë një harmoni më të thellë politike. Sipas Orbanit, kjo do zgjeronte bashkëpunimin pa kufizuar zhvillimin.

“Kjo do të thotë që jemi në të njëjtën makinë, kemi një marsh, por nuk duam të lëvizim me ritme të ndryshme…Nëse mund t’i përmbahemi këtij sistemi, ideja e madhe e bashkëpunimit evropian mund të mbijetojë”, tha ai.

Orban e akuzoi Brukselin për mbështetje të tepruar në borxhin e përbashkët dhe për përdorimin e luftës së Ukrainës si pretekst për të vijuar këtë politikë.

Për sa kohë që lufta zgjat, BE-ja do mbetet e varur nga SHBA-ja për sigurinë dhe e paaftë për të vepruar në mënyrë të pavarur në çështjet ekonomike, tha ai. Orban gjithashtu sugjeroi se në vend që të “lobojë në Uashington”, BE-ja duhet të “shkojë në Moskë” për të arritur një marrëveshje sigurie me Rusinë, e ndjekur nga një marrëveshje ekonomike.