Vendosni fjalën kyçe....

Rama kërkon regjistrimin e shqiptarëve jashtë vendit: Duhet të kemi një databazë të plotë të profesionistëve në botë


Kryeministri Edi Rama, gjatë Konferencës së Ambasadorëve Diplo2025, u bëri thirrje ambasadorëve të Shqipërisë që të punojnë për regjistrimin dhe evidentimin e plotë të komuniteteve shqiptare jashtë vendit.

Ai theksoi se pjesëmarrja e diasporës në zgjedhje rrit fuqinë e tyre vendimmarrëse dhe forcon lidhjet me atdheun, ndërsa kritikoi mungesën e një databaze të përditësuar për shqiptarët profesionistë që jetojnë dhe kontribuojnë në vende të ndryshme të botës.

“Pjesëmarrja e shqiptarëve jashtë atdheut në zgjedhje forcon jo thjeshtë rolin e tyre në aspektin e fuqisë vendimmarrëse në vend, por forcon edhe nivelin e detyrimit tonë për t’u shërbyer dhe për t’u organizuar me ta. Edhe këtu ka disa arritje të veçanta, suksese apo më saktë pozitive, por në tërësi jemi shumë mbrapa.

Jemi një vend i vogël dhe popull i vogël që nuk e kemi luksin të mos kemi as dijeni për burimet tonë njerëzore jashtë vendit, për shqiptarët e shkolluar, profesionistë e jashtëzakonshëm, që ne i kemi në të gjitha vendet e botës. Dhe minimalisht dijeninë për ta, për ekzistencën e tyre duhet të na e garantojë shërbimi diplomatik.

Me këtë dijeni shumëçka tjetër mund të ndërtohet. Por që ne të mos kemi një database që pasurohet dita ditës me profesionistë shqiptarë në territorët e mbarë botës, dhe kur shumë shqiptarë shkëlqejnë dhe bëjnë sukses dhe nuk kanë nevoja materiale ndaj Shqipërisë por do ta mirëprisnin një ftesë të Shqipërisë për të kontribuar, ndërkohë që bota është bërë kaq e ndërlidhur, kur nuk ka më asnjë nevojë për të lëvizur, që aty ku je që të japësh një kontribut, është e papranueshme që ne kemi kaq padituri për një kapital të jashtëzakonshëm që kemi jashtë vendit”,- tha Rama.