
Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka reaguar sot në një konferencë për shtyp lidhur me dosjen McGonigal, e publikuar nga Departamenti i Drejtësisë në SHBA, duke e cilësuar atë si një aferë që vazhdon të marrë vëmendje ndërkombëtare.
Berisha tha se emri i kryeministrit Edi Rama përmendet në mënyrë të përsëritur në dokumente, duke e quajtur atë “kreun e organizatës kriminale të narkoshtetit shqiptar”.
Sipas tij, raporti i Inspektorit të Përgjithshëm, pjesë e të cilit është publikuar, zbulon një lidhje mes Ramës, këshilltarit të tij Dorian Duçka dhe një konglomerati energjetik kinez, çka përfshin kryeministrin në një aferë të rëndë korruptive dhe spiunazhi.
“Mediat më të mëdha botërore janë rikthyer me tituj goditës, që nxjerrin në pah lidhjet e Ramës me Charles McGonigal, mikun që e bënte krenar me miqësinë e tij. Tashmë është faktuar se Rama, së bashku me këshilltarin e tij Duçka, kanë qenë pjesë e një aktiviteti të dokumentuar kriminal, me lidhje të drejtpërdrejta me një konglomerat energjetik kinez,” u shpreh Berisha.
Ai akuzoi Ramën se ka përdorur McGonigal për të ndikuar në skenën politike shqiptare, duke ndërhyrë në licencat e kompanive dhe më pas e ka shpërblyer atë me 225 mijë dollarë për veprime kundër opozitës.
Berisha solli edhe shembuj të tjerë të ndërhyrjes së McGonigal në favor të Ramës, duke përmendur rastin e dërgimit të një delegacioni qeveritar në Vjenë për çështjen e dëshmisë së Durim Bamit, i cili akuzonte Tom Doshin, por që u cilësua nga prokuroria amerikane si mashtrues.
“Edi Rama është i përlyer kokë e këmbë në një nga aferat më të mëdha të spiunazhit dhe korrupsionit të kohës sonë. Ai ka përdorur McGonigal kundër opozitës shqiptare dhe këtë e kanë faktuar tashmë dokumentet amerikane,” tha Berisha.