
Nuredin Dumani, i penduari i drejtësisë dhe bashkëpunëtori i rëndësishëm i organit të akuzës, u shtrua me urgjencë mbrëmjen e djeshme në Qendrën Spitalore “Nënë Tereza” në Tiranë, ku po merr trajtim të specializuar në reanimacionin e kardiologjisë.
Për shkak të statusit të tij të veçantë dhe rrezikut të mundshëm për jetën, Dumani po i nënshtrohet një sërë analizash të thelluara shëndetësore. Këto kontrolle janë kryer jo vetëm për të vlerësuar gjendjen e tij të zemrës, por edhe për të përjashtuar çdo tentativë kriminale, përfshirë një helmim të mundshëm. Kjo shqetësim lidhet me faktin se gjatë rrëfimeve të tij si i penduar, Dumani ka zbuluar detaje që e kanë vendosur në shënjestër të grupeve të botës së krimit, duke rritur ndjeshëm rrezikun për jetën e tij.
Mbrëmjen e djeshme, Dumani u shoqërua në spital nga Forcat Speciale të Burgjeve, ndërsa zona e Urgjencës së QSUT-së u rrethua nga forcat RENEA për sigurinë maksimale.
Nuredin Dumani është një nga bashkëpunëtorët kyç të drejtësisë në Shqipëri, duke ndihmuar në zbardhjen e shumë rasteve të grupeve të strukturuara kriminale dhe ngjarjeve të rënda. Deklaratat e tij kanë qenë thelbësore për SPAK-un në shpërbërjen e disa prej organizatave më të fuqishme kriminale në vend.