
Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, ka thënë se ende e pëlqen Elon Musk, pavarësisht një grindjeje midis tyre në fillim të këtij viti që kapi titujt kryesore të mediave në mbarë botën e nxiti spekulime të ndryshme. Megjithatë, Trump paralajmëroi se planet e kreut të Tesla-s për të krijuar partinë e tij politike do ishin të pafrytshme.
“Musk është burrë i mirë”, i tha Trump Scott Jennings, prezantuesit të emisionit “Scott Jennings” në Salem Radio, të mërkurën. Ai gjithashtu iu referua manjatit me bazë në SHBA si një “njeri i mirë” dhe një “njeri me gjykim të shëndoshë”.
Musk mbështeti Trump në zgjedhjet e vitit 2024 dhe shërbeu përkohësisht si kreu i Departamentit të Efikasitetit të Qeverisë (DOGE) përpara se të dy të kishin një grindje publike për paketën e shpenzimeve të presidentit, shkruan RT.
Sipas presidentit të SHBA-së, miliarderi është “80% super gjenial ndërsa 20% e ka me probleme”. Trump deklaroi gjithashtu se “gjithmonë” e ka pëlqyer Musk dhe vijon ta vlerësojë atë.
Megjithatë, Trump pohoi se ambicia e Musk për të krijuar një parti të re politike amerikane do ishte e pafrytshme.
“Çfarë do të bëjë ai? Do shkojë me të çmendurit e së majtës radikale?…Nuk mendoj se ka zgjidhje tjetër.” Presidenti shtoi se do donte që manjati i teknologjisë t’i mbështeste përsëri republikanët.
Pasi dha dorëheqjen nga DOGE, miliarderi njoftoi se do fillonte fraksionin e tij politik për të sfiduar sistemin dypartiak dhe për të paraqitur kandidatë në zgjedhjet e mesit të mandatit të vitit 2026. Muajin e kaluar, ai e forcoi planin e tij, duke hedhur poshtë një artikull të Wall Street Journal që pretendonte se e kishte braktisur idenë.