Vendosni fjalën kyçe....

Danimarka nuk e njeh ende shtetin palestinez, por kritikon Izraelin për ofensivën në Gaza



Gjatë një konference për shtyp të mbajtur të dielën me ministrin e Jashtëm izraelit Gideon Sa’ar, ministri i Jashtëm i Danimarkës, Lars Løkke Rasmussen, deklaroi se Kopenhaga “nuk është ende gati për të njohur një shtet palestinez”, por theksoi se “Izraeli nuk ka veto mbi vendimin e Danimarkës për këtë çështje”.

Këto komente erdhën si reagim ndaj deklaratës së Sa’ar, i cili tha se krijimi i një shteti palestinez do të vinte në rrezik sigurinë kombëtare të Izraelit, përcjell Jerusalem Post.

Rasmussen shprehu gjithashtu shqetësimin e thellë të qeverisë daneze për ofensivën ushtarake izraelite në Gaza dhe zgjerimin e vendbanimeve në Bregun Perëndimor.

“Izraeli duhet të ndalë ofensivën ushtarake në Gaza,” tha Rasmussen, duke shtuar se duhet të lejohet transportimi i të plagosurve nga Gaza në Jerusalemin Lindor dhe Bregun Perëndimor për trajtim mjekësor.

Në të njëjtën konferencë, ministri izraelit Sa’ar u shpreh se lufta në Gaza mund të përfundojë nëse Hamas liron pengjet dhe dorëzon armët.

Qëndrimi i Danimarkës dhe i BE-së ndaj zgjidhjes me dy shtete

Komentet e Rasmussen vijnë pak kohë pasi kryeministrja daneze Mette Frederiksen, në mes të muajit gusht, theksoi se nuk mbështet njohjen e menjëhershme të shtetit palestinez, edhe pse dënoi ashpër veprimet e kryeministrit izraelit Benjamin Netanyahu.

“Njohja e Palestinës këtu dhe tani nuk do të ndihmojë mijëra fëmijë që po luftojnë për mbijetesë,” shkroi Frederiksen në një postim në Facebook.

Megjithatë, në fund të gushtit, ministri i Jashtëm Rasmussen deklaroi se veprimet e Izraelit në Gaza po minojnë zgjidhjen me dy shtete, e cila është konsideruar gjerësisht si rruga e vetme për paqe të qëndrueshme në rajon.

“Izraeli po minon aktualisht zgjidhjen me dy shtete,” u shpreh ai pas një takimi me ministrat e jashtëm të BE-së në Kopenhagë.