
Nuredin Dumani, i penduari i drejtësisë dhe një nga dëshmitarët kyç të Prokurorisë së Posaçme (SPAK), është transportuar mbrëmjen e sotme me urgjencë në Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza” në Tiranë, për shkak të komplikacioneve shëndetësore.
Dumani ka shfaqur simptoma të takikardisë – rritje e rrahjeve të zemrës – të shoqëruara me vështirësi në frymëmarrje.
Transportimi i tij është kryer nën masa të rrepta sigurie nga Forcat Speciale të Burgjeve dhe njësia elitare RENEA, për shkak të rëndësisë së lartë që ai ka si dëshmitar në disa dosje të bujshme të krimit të organizuar në vend.
Për incidentin është vënë në dijeni edhe Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK). Deri në këto momente, nuk ka një informacion zyrtar mbi gjendjen e tij aktuale shëndetësore.
Kush është Nuredin Dumani?
Nuredin Dumani u arrestua në mars të vitit 2022 në qytetin e Fierit, pak orë pasi mbeti i plagosur gjatë një shkëmbimi me armë zjarri në aksin Elbasan–Peqin. I konsideruar si një nga personat më të rrezikshëm në botën e krimit të organizuar në Shqipëri, Dumani është bërë i penduar i drejtësisë, duke zbardhur një sërë ngjarjesh të rënda, përfshirë vrasje me pagesë dhe atentate mafioze.
Dëshmitë e tij janë kyçe për një numër çështjesh që ndodhen në hetim nga SPAK, përfshirë edhe çështjen e shumëkërkuarit Talo Çela, për të cilin familjarët e Dumanit kanë deklaruar publikisht se është ekzekutuar.