
Të paktën 60 persona janë vrarë gjatë një sulmi të dhunshëm të grupit xhihadist Boko Haram në fshatin Darul Jamal, në shtetin Borno, në verilindje të Nigerisë. Sulmi ndodhi natën e së premtes në një zonë pranë kufirit me Kamerunin, ku ndodhet një bazë ushtarake dhe ku banorët kishin filluar të ktheheshin pas vitesh zhvendosjeje për shkak të dhunës, përcjell BBC.
Sipas autoriteteve lokale, militantët sulmuan fshatin dhe bazën ushtarake, duke vrarë të paktën pesë ushtarë, përveç civilëve të shumtë. Menjëherë pas sulmit, Forcat Ajrore të Nigerisë reaguan me sulme ajrore, në të cilat u raportua se janë vrarë rreth 30 militantë.
Ky sulm vjen në një kohë kur aktiviteti i grupeve xhihadiste në verilindje të vendit është në rritje. Përveç Boko Haram, edhe dega e Shtetit Islamik në Afrikën Perëndimore (ISWAP) po intensifikon sulmet ndaj civilëve dhe forcave të sigurisë. Të dyja grupet janë përfshirë në luftë për kontrollin e territorit dhe ndikimin në rajon.
Ngjarja ka shkaktuar frikë të re mes banorëve që ishin kthyer në Darul Jamal pas zhvendosjes disa vjeçare, dhe ka ngritur shqetësime serioze për përkeqësimin e situatës humanitare dhe të sigurisë në rajon.