
Një influencer amerikan i rrjeteve sociale, Ethan Guo, është liruar të shtunën pasi kaloi dy muaj i ndaluar në një bazë ajrore ushtarake në Antarktidën kiliane, për shkak se kishte zbarkuar pa leje me një avion privat, përcjell AP.
Guo, i cili ishte 19 vjeç kur nisi misionin e tij për mbledhje fondesh për kërkime ndaj kancerit, synonte të bëhej personi më i ri që fluturon i vetëm në të shtatë kontinentet. Por udhëtimi mori një kthesë të papritur më 28 qershor, kur autoritetet kiliane e ndaluan për shkelje të planit të fluturimit.
Prokurorët deklaruan se Guo kishte leje për të fluturuar vetëm mbi qytetin Punta Arenas në jug të Kilit, por ai vazhdoi fluturimin drejt jugut, duke u ulur në territorin antarktik me një avion të vogël Cessna 182Q. Autoritetet e akuzuan se kishte dhënë informacione të rreme në planin e fluturimit.
Pas uljes, ai u ndalua në një bazë ushtarake ku kaloi dy muaj në kushte të vështira, me komunikim të kufizuar dhe temperatura që zbrisnin nën zero gjatë dimrit antarktik. Gjatë kësaj kohe, avokatët e tij negociuan me autoritetet kiliane për një zgjidhje ligjore.
Guo, që ndërkohë ka festuar 20-vjetorin e lindjes, është liruar me vendim gjykate, por me disa kushte të rrepta:
Duhet të dhurojë 30,000 dollarë të mbledhura për një fondacion për kancerin e fëmijërisë brenda 30 ditësh;
Duhet të largohet menjëherë nga Kili;
Është i ndaluar të hyjë në territorin kilian për tre vjet.