Vendosni fjalën kyçe....

6 vjet nga tërmeti tragjik, PL akuzon qeverinë: 996 apartamente në Spitallë bosh, familjet e Durrësit enden rrugëve


Partia e Lirisë ka denoncuar ashpër gjendjen e qindra familjeve në Durrës, të cilat edhe pas 6 vitesh nga tërmeti shkatërrues i 26 nëntorit 2019 vijojnë të mbeten pa strehë.

Këshilltarja e PL-së në Bashkinë e Durrësit, Anisa Ibraj, akuzoi qeverinë dhe bashkinë se kanë përdorur procesin e shpërndarjes së apartamenteve si një “skemë propagandistike”, duke i lënë 996 banesa të reja në Spitallë bosh, ndonëse shorti për ndarjen e tyre u hodh një vit më parë.

“Kane kaluar gjashtë vite nga tragjedia dhe një vit nga shorti që duhej t’i hapte rrugë strehimit për qindra familje. Qeveria dhe bashkia e kanë kthyer lotarinë e banesave në një mashtrim propagandistik, ndërsa qytetarët mbeten rrugëve, pa strehë dhe pa bonus qiraje,” tha Ibraj.

Ajo theksoi se shumë familje, mes tyre pensionistë të sëmurë e të varfër, po jetojnë në kushte të papranueshme, ndërsa qeveria justifikohet me procedura teknike si instalimi i matësve të energjisë elektrike.

“Në Spitallë 996 apartamente, të ndërtuara me fondet e Emirateve të Bashkuara Arabe, qëndrojnë bosh. Banorët presin prej një viti, por askush nuk jep afate dhe askush nuk mban përgjegjësi. Ky është një turp, një tallje e hapur me qytetarët,” u shpreh Ibraj.

Partia e Lirisë kërkon nga qeveria që t’u dorëzojë menjëherë çelësat e apartamenteve familjeve të mbetura pa strehë dhe të rikthejë bonusin e qirasë për të prekurit nga tërmeti.

“E vetmja gjë që prodhon kjo qeveri, z. Kryeministër, janë hajdutët ‘made in Partia Socialiste’,” tha Ibraj, duke kërkuar përgjegjësi penale dhe politike për vonesat dhe mashtrimet e bëra mbi qytetarët.

Ajo shtoi se çdo ditë që kalon është një ditë tjetër padrejtësie dhe turpi për shtetin që ka braktisur qytetarët e tij.