
Presidenti i SHBA-së Trump, planifikon të nënshkruajë një urdhër ekzekutiv të premten për të riemëruar Departamentin e Mbrojtjes në “Departamenti i Luftës”, tha të enjten një zyrtar i Shtëpisë së Bardhë.
Urdhri do autorizonte Sekretarin e Mbrojtjes Pete Hegseth, Departamentin e Mbrojtjes dhe zyrtarët vartës të përdorin tituj dytësorë si “Sekretar i Luftës”, “Departamenti i Luftës” dhe “Zëvendës Sekretar i Luftës” në korrespondencën zyrtare dhe komunikimet publike, sipas një dokumenti faktesh të Shtëpisë së Bardhë, shkruan Reuters.
Ky veprim do udhëzonte Hegseth-in të rekomandonte veprimet legjislative dhe ekzekutive të nevojshme për ta bërë riemërtimin të përhershëm.
Që nga marrja e detyrës në janar, Trump ka vendosur të riemërtojë një sërë vendesh dhe institucionesh, përfshirë Gjirin e Meksikës, dhe të rivendosë emrat origjinalë të bazave ushtarake që u ndryshuan pas protestave “Black Lives Matter”.
Ndryshimet e emrave të departamenteve janë të rralla dhe kërkojnë miratimin e Kongresit, por republikanët e Trump-it mbajnë shumicën si në Senat ashtu edhe në Dhomën e Përfaqësuesve, dhe udhëheqësit e partisë në Kongres kanë treguar pak oreks për të kundërshtuar ndonjë nga nismat e Trump-it.
Departamenti i Mbrojtjes i SHBA-së quhej Departamenti i Luftës deri në vitin 1949, kur Kongresi konsolidoi Ushtrinë, Marinën dhe Forcat Ajrore pas Luftës së Dytë Botërore. Emri u zgjodh pjesërisht për të sinjalizuar se në epokën bërthamore, SHBA-të ishin të përqendruara në parandalimin e luftërave, sipas historianëve.