
Pas domateve e pjeshkëve me pesticide që u kthyen mbapsht nga Kroacia, një sasi specash të kuq të eksportuar në Slloveni janë tërhequr për shkak të nivelit të lartë të pesticideve që u zbulua në to.
Kompania “Geaprodukt” në Slloveni ka dhënë urdhrin për tërheqjen e specave nga Shqipëria pasi në to janë gjetur pesticide të tepërta si acetamiprid, formetanate dhe flonicamid.
Malli ishte importuar në Slloveni nga data 24 gusht deri në 4 shtator dhe ka qenë I paketuar në kuti kartoni dhe plastikë.
Sakaq, kompania u ka kërkuar klientëve ta kthejnë produktin në vendin e blerjes dhe nëse kjo nuk është e mundur, ata duhet ta hedhin atë.
Ditën e djeshme Kroacia bllokoi një sasi prej 5,562 kg pjeshkësh me origjinë nga Shqipëria, për shkak të pranisë së nikelit mbi normat e lejuara.
Më herët një sasi domatesh u kthy nga vendi importues për shkak pesticidesh.
Prej vitesh nga tregjet e huaja ka kthime frutash e perimesh me origjinë nga Shqipëria të kapura pas analizave të kryera në vendet pritëse dhe jo në vendin e origjinës.
Kjo ngre shqetësimin mbi cilësinë e frutave dhe perimeve që hidhen për konsum në tregun e brendshëm. Para disa muajsh kryeministri njoftoi shkritjen e AKU-së, institucionit përgjegjës për kontrollin e ushqimeve që tregohen megjithatë fakt është që ushqime të eksportuara nga Shqipëria vijojnë e kthehen në vend, me tre ngarkesa vetëm ditët e fundit.