Vendosni fjalën kyçe....

Inagurimi i aksit Qukës-Qafë Plloçë, Berisha: U vodhën 180 mln euro, Lubia Balluku këndonte e ekzaltuar


Pas 16 vitesh ndërtim, është inauguruar aksi rrugor Qukës-Qafë Plloçë, vetëm 43 km i gjatë, i cili sipas kryetarit të Partisë Demokratike, Sali Berisha, është vepra publike ku janë shpenzuar dhe abuzuar rreth 180 milionë euro.

“Pas 16 vitesh u inaugurua rruga ‘vidh e vidh nuk ka të sosur’ prej 43 km Qukës-Qafë-Plloçë. Ajo duhet të përfundonte në vitin 2014!” shkruan Berisha në rrjetet sociale.

Berisha kujton se ndërtimi filloi më 26 qershor 2009 dhe u prokurua për 73 milionë euro nga Banka Islamike, duke përfshirë edhe tunelin në Qafë-Plloçë.

Sipas tij, pas ndërhyrjeve dhe ndryshimeve të projektit nga qeveria Rama, kostoja përfundoi mbi katërfishimin:

“Çmimi për ndërtimin e rrugës nga 73 milionë euro për 43 km përfundoi në mbi 260 milionë euro. Por nëse llogarisim edhe trefishimin e kohës së ndërtimit, çmimi real shkon edhe më shumë!”

Ai nuk kurseu duke ironizuar as ministren e Infrastrukturës Belinda Balluku.

Në inaugurim, Lubia e ekzaltuar këndonte: ‘Bjeri gajdes gajdexhi, gajdexhi të lumtë goja se ne mbushëm xhepat tona.”

Berisha e cilëson këtë si një shembull flagrant të korrupsionit dhe keqmenaxhimit të fondeve publike në vend.

 

Reagimi i plotë:

Inaugurohet pas 16 vitesh rruga “vidh e vidh nuk ka të sosur” prej 43 km Qukës-Qafë-Plloçë. Ajo duhet të përfundonte në vitin 2014!
Të dashur miq, sot me dajre dhe gajde u inaugurua 16 vite pas inaugurimit të fillimit të punimeve rruga prej 43 km Qukës-Qafë-Ploçë. Kjo rrugë, ndërtimi i të cilës zgjati 16 vite si asnjë rrugë tjetër, është gjithashtu vepra publike në të cilën u vodhën në rreth 180 milionë euro. Rruga ndjek deri diku në trajektoren e saj gjurmën e rrugës së lashtë “Egnatia” dhe shkurton distancën Korçë-Tiranë dhe urbanizon krahinën e Mokrës. Ndërtimi i saj filloi më 26 qershor të vitit 2009. Ajo u prokurua për shumën 73 milionë euro, financim i Bankës “Islamike” për ndërtimin e saj në të gjithë gjatësinë, përfshirë tunelin në Qafë-Ploçë dhe përfundimin e saj brenda vitit 2014. Pas fillimit të punimeve dhe përfundimit të 12 km të para dhe pas zgjedhjeve të 2013, Edi Rama kërkoi bankës të anulonte financimin e projektit, mbasi sipas tij nuk nevojitej dhe fondin ta përdorte për qëllime të tjera. Banka “Islamike”, e cila kishte shqyrtuar projektin dhe miratuar atë dhe supervizorin e tij, iu përgjigj se qeveria shqiptare mund të anulojë kredinë, kurse banka nuk mund ta ndryshojë destinacionin e saj për qëllime të tjera. Pas kësaj, Ramaduro ndryshoi projektin dhe nisi seriali “vidh e vidh nuk ka të sosur”. Me projektin e Ramaduros, si kurrë ndonjëherë, segmentet e rrugës dy vitet e fundit nuk bashkoheshin njëri me tjetrin në dy raste, sepse nuk ndiqnin të njëjtën trajektore. Kështu, çmimi për ndërtimin e rrugës nga 73 milionë euro për 43 km përfundoi në mbi katërfishim, apo në 260 milionë euro. Por po të kemi parasysh mbi trefishimin e kohës së ndërtimit, çmimi real i saj në raport me kthimin e investimit shkon më së paku edhe tre herë më i lartë. Në inaugurim, Lubia e ekzaltuar këndonte nënse: “Bjeri gajdes gajdexhi, gajdexhi të lumtë goja se ne mbushëm xhepat tona. O Eeeeeeee Gajdexhiiiiiii!”