Vendosni fjalën kyçe....

Dhunohet gazetarja gjatë ushtrimit të detyrës në Kadastrën Kamëz-Vorë, arrestohet një 67-vjeçar



Një ngjarje shqetësuese ka ndodhur pranë Drejtorisë Vendore Kamëz-Vorë të Agjencisë Shtetërore të Kadastrës, ku gazetarja Domenika Bajraktari është goditur fizikisht ndërsa po ushtronte detyrën e saj.

Policia njoftoi se ka arrestuar 67-vjeçarin F. M., i cili e ka goditur gazetaren me telefon në shpinë. Ngjarja ndodhi teksa Bajraktari ndodhej në ambientet e institucionit për të marrë informacion në kuadër të punës së saj si gazetare.

Përveç arrestimit të autorit të dhunës, policia ka proceduar penalisht në gjendje të lirë edhe dy roje private, Q. L., 64 vjeç dhe H. B., 52 vjeç. Ata akuzohen se kanë penguar kameramanin që shoqëronte gazetaren dhe i kanë dëmtuar pajisjen e xhirimit gjatë filmimit të situatës.

Pas raportimit të ngjarjes, Agjencia Shtetërore e Kadastrës ka reaguar duke u distancuar nga akti i dhunës. Në një deklaratë për mediat, institucioni thekson se shtetasi që dhunoi gazetaren nuk është punonjës i Kadastrës.

Sipas reagimit, agjencia po shqyrton pamjet filmike të kamerave të sigurisë për të vlerësuar sjelljen e rojeve private. Nëse konstatohen shkelje, do të merren masa të menjëhershme ligjore dhe kontraktuale ndaj tyre.

Në deklaratë thuhet se Agjencia Shtetërore e Kadastrës dënon çdo akt dhune ndaj përfaqësuesve të medias dhe shpreh mbështetje për punën e gazetarëve, duke e konsideruar atë thelbësore për transparencën dhe informimin e publikut.

Komisariati Nr. 3 i Policisë së Tiranës ka bërë të ditur se ka referuar materialet në Prokurori për nisjen e procedimeve penale ndaj të gjithë të përfshirëve në incident.

Në njoftimin e policisë thuhet se gazetarja ka kallëzuar se është penguar në kryerjen e detyrës dhe është goditur nga shtetasi F. M., ndërkohë që kameramani është penguar dhe i është dëmtuar pajisja e punës nga rojet private.