Vendosni fjalën kyçe....

Arkitektura e Financave Globale dhe Inteligjencës Artificiale


Nga Enri Çeno

Një epokë e re po lind para syve tanë, por shumica ende nuk e kuptojnë thellësinë e saj.

Po përjetojmë ndoshta revolucionin më të madh industrial në historinë e njerëzimit, një revolucion që nuk lidhet me avullin, me hekurudhat apo me elektricitetin, por me financën dhe inteligjencën artificiale.

Po ndërtohet një arkitekturë e re globale, ku pasuria, teknologjia dhe fuqia politike po përzihen në mënyra që do të riformatojnë hartën e pushtetit botëror.

Në këtë skenë, Emiratet e Bashkuara Arabe shfaqen si një laborator i së ardhmes. Takimet e fundit në Abu Dhabi midis udhëheqësve më të lartë të Emirateve, Larry Fink – kreu i BlackRock, dhe përfaqësuesve të Forumit Ekonomik Botëror tregojnë se kjo nuk është thjesht një çështje investimesh.

Është një strategji e menduar gjatë, ku kapitali sovran arab, gjigantët e financës globale dhe qendrat e mendimit ndërkombëtar po projektojnë të ardhmen.

Me mbi 1.5 trilionë dollarë fonde sovrane vetëm në Abu Dhabi, me universitete të dedikuara vetëm për inteligjencën artificiale si MBZUAI, me qendra si Hub71 apo G42, Emiratet po bëhen nyja e një rrjeti të ri ekonomik dhe teknologjik që tejkalon përmasat e tyre gjeografike.

Në të njëjtën kohë, kompanitë financiare si BlackRock menaxhojnë pasuri që shkojnë përtej imagjinatës – mbi 12 trilionë dollarë.

 Këto shifra nuk janë thjesht statistikë, janë tregues të një realiteti të ri ku një grusht aktorësh të mëdhenj po marrin rolin e arkitektëve të së ardhmes.

Ndërkohë, tokenizimi – një term i komplikuar që do të thotë transformimi i pasurive reale si toka, ndërtesat, infrastrukturat apo kapitali privat në forma digjitale të tregtueshme – po shihet si revolucioni financiar i dekadës.

Deri në vitin 2030, sipas parashikimeve të Forumit Ekonomik Botëror dhe Boston Consulting Group, pasuri me vlerë mbi 16 trilionë dollarë do të jenë të tokenizuara.

Kjo do të thotë transaksione më të shpejta, më të lira dhe më transparente, njësoj si të blesh një aksion në bursë, por në këtë rast mund të blesh një pjesë të një rrokaqielli apo të një ure strategjike.

Emiratet po e pozicionojnë veten si liderë të këtij procesi duke ndërtuar rregullore të qarta dhe duke ofruar një klimë të favorshme që shumë vende perëndimore ende nuk e kanë.

Por fuqia më e madhe e së ardhmes nuk do të vijë vetëm nga financa. Inteligjenca artificiale, që sot shihet si një mjet teknologjik, po bëhet shtylla e re e ekonomisë botërore.

Deri në vitin 2030, ajo do të shtojë mbi 15 trilionë dollarë në ekonominë globale. Çdo vend që nuk e integron në ekonominë dhe qeverisjen e tij do të mbetet jashtë loje.

Emiratet kanë kuptuar këtë më shpejt se të tjerët: kanë krijuar universitete që edukojnë breza të tërë vetëm për AI, kanë investuar qindra miliarda në infrastrukturë kompjuterike, në qendra kërkimore dhe në kompani teknologjie. Këto nuk janë projekte prestigji, janë themelet e një rendi të ri botëror.

Nga ana tjetër, Amerika vazhdon të jetë epiqendra e kapitalit dhe teknologjisë. Me kompanitë e saj gjigante të Silicon Valley dhe Wall Street, SHBA mbetet lojtari dominues, duke tërhequr kapital, talent dhe ide.

Por ndryshe nga e kaluara, nuk është më vetëm. Azia dhe Lindja e Mesme po ngrihen me një shpejtësi marramendëse. Kina, India, Emiratet, Arabia Saudite – po krijojnë një bosht të ri ku pasuria dhe teknologjia kombinohen për të ndërtuar një ekuilibër të ri global.

Dhe në këtë tablo, Europa duket më e përgjumura. E mbërthyer mes burokracive të saj, debatesh të pafundme mbi rregulloret dhe një mungese vizioni të unifikuar, ajo po rrezikon të mbetet spektatore e revolucionit më të madh të historisë moderne. Shumë milionerë po largohen nga Britania drejt Emirateve apo Amerikës.

Vendet e Europës jugore po përpiqen të tërheqin pasuri përmes programeve të qëndrimit dhe qytetarisë, por këto janë zgjidhje të pjesshme, jo vizione strategjike.

Kjo është arsyeja pse ky revolucion nuk është thjesht ekonomik. Është politik. Sepse në momentin që financa, teknologjia dhe kapitali sovran kombinohen, kemi një hartë të re të pushtetit global.

Kush kontrollon këto shtylla, kontrollon shekullin XXI.

Për vendet e vogla si Shqipëria, por edhe për vendet e mëdha që ndoshta e kanë humbur ritmin si shumë shtete të Europës, ky është një paralajmërim i qartë: ose bëhesh pjesë e këtij transformimi, ose mbetesh në periferi.

Nuk mjafton më të jesh konsumator i teknologjisë, duhet të jesh krijues, investues, pjesë e rrjetit.

Historia po shkruhet tani. Emiratet, BlackRock, Forumi Ekonomik Botëror, kompanitë e mëdha teknologjike dhe qendrat e reja të kapitalit sovran po ndërtojnë kapitujt që nesër do të studiohen në librat e ekonomisë dhe të shkencës politike.

Ky është një revolucion i heshtur, por me pasoja më të thella se çdo lëvizje tjetër e shekujve të fundit. Dhe në këtë revolucion, askush nuk do të falet për përgjumje.