
Oficerët e Agjencisë Kombëtare Kundër Krimit në Britani (NCA) kanë zbuluar një fermë të madhe kanabisi në Dudley, gjatë një operacioni të gjerë që përfshiu edhe bastisje në disa prona në Birmingham. Si rezultat i aksioneve, u arrestuan gjashtë persona dhe u sekuestruan rreth 80 bimë kanabisi, me një vlerë të përafërt prej 80,000 paund.
Mes të arrestuarve janë një shtetas shqiptar 34-vjeçar, një grua 29-vjeçare dhe një burrë 21-vjeçar, të cilët dyshohet se kanë shkelur ligjin e imigracionit dhe aktualisht po trajtohen nga Zyra e Imigracionit britanik. Gjatë kontrolleve, autoritetet gjetën edhe rreth 50,000 paund para të gatshme dhe 20 kilogramë kanabis të fshehur në një papafingo.
Në një tjetër bastisje në zonën Warstone Lane të Birmingham-it, oficerët zbuluan rreth dy kilogramë kokainë. Dy burra, të moshës 23 dhe 25 vjeç, u arrestuan nën dyshimin për posedim me qëllim shpërndarjeje të një sasie të konsiderueshme të drogës së klasit A.
Ndërkohë, në një kontroll tjetër në Pumphouse Way, po në Birmingham, u gjet një sasi e madhe pajisjesh të përdorura për kultivimin e kanabisit në një hambar kopshti.
Komandanti i Degës së NCA-së, Saju Sasikumar, deklaroi:
“Krimi i organizuar dhe kultivimi i kanabisit janë shpesh të lidhura ngushtë me imigracionin ilegal. Individë që ndodhen në mënyrë të paligjshme në Britani shpesh shfrytëzohen për të punuar në këto aktivitete kriminale ose detyrohen të paguajnë borxhe për udhëtimin e tyre.”
Ai theksoi se ky operacion përbën një goditje të rëndësishme ndaj grupeve të krimit të organizuar, duke shkaktuar dëme të konsiderueshme financiare për rrjetet që përfitojnë nga kultivimi dhe shpërndarja e drogës.