Vendosni fjalën kyçe....

Trump paralajmëron bisedë me Zelenskyn për luftën në Ukrainë


Presidenti amerikan Donald Trump deklaroi të mërkurën se do të zhvillojë së shpejti një bisedë telefonike me presidentin e Ukrainës, Volodymyr Zelensky, në një kohë kur përpjekjet për t’i dhënë fund luftës së Rusisë në Ukrainë kanë ngecur, duke shkaktuar frustrim në Shtëpinë e Bardhë.

“Do të zhvilloj një bisedë me të shumë shpejt dhe do të di pak a shumë se çfarë do të bëjmë… Do të flas me të gjatë ditëve të ardhshme dhe do ta shohim”, tha Trump gjatë një takimi në Zyrën Ovale me presidentin polak Karol Nawrocki.

Shtëpia e Bardhë sqaroi më vonë se telefonata mes Trump dhe Zelenskyt është planifikuar për të enjten, ndërsa theksoi se aktualisht nuk ka asnjë bisedë të caktuar me presidentin rus Vladimir Putin, shkruan CNN.

I pyetur për mesazhin e tij për Putinin, të cilit i ka dhënë afate të përsëritura “dy-javore”, Trump tha se nuk kishte asnjë, por ofroi një paralajmërim delikat.

“Nuk kam asnjë mesazh për Presidentin Putin. Ai e di se ku qëndroj unë dhe do të marrë një vendim në një mënyrë ose në tjetrën. Cilido qoftë vendimi i tij, ne ose do të jemi të lumtur për të, ose të pakënaqur. Dhe nëse jemi të pakënaqur për këtë, do të shihni se si do të ndodhin gjërat”, tha ai.