
Flamujt u ulën në gjysmështizë në Lisbonë të enjten, pasi të paktën 17 persona u vranë dhe 21 u plagosën në një aksident me funikular, i cili është i popullarizuar tek turistët, ndërsa autoritetet portugeze filluan hetimin e shkakut të aksidentit.
Dy linjat e mbetura të qytetit u mbyllën për inspektime, thanë autoritetet.Pamjet nga vendi i ngjarjes tregonin rrënojat e shkatërruara të funikularit të verdhë, i ngjashëm me tramvajin, i cili transporton njerëz lart e poshtë një kodre të pjerrët në kryeqytetin portugez, të shtrira aty ku kishte dalë nga shinat dhe kishte goditur një ndërtesë, vetëm pak metra larg një makine tjetër në fund të kodrës, shkruan Reuters.
Manuel Leal, kreu i sindikatës Fectrans, i tha televizionit lokal se punëtorët në hekurudhën Gloria – një nga simbolet e qytetit – ishin ankuar për probleme me tensionin e kabllove të transportit të funikularit që e vështirësonte frenimin, por ishte shumë herët për të thënë nëse ky ishte shkaku i aksidentit.
Kompania komunale e transportit publik Carris tha në një deklaratë se “të gjitha protokollet e mirëmbajtjes janë kryer”, duke përfshirë programet mujore dhe javore të mirëmbajtjes dhe inspektimet ditore.