
Sekretari amerikan i Shëndetësisë, Robert F. Kennedy Jr., po dëshmon të enjten para një komisioni të Kongresit, ku pritet të përballet me pyetje mbi trazirat në agjencitë federale të shëndetit.
Komisioni i Financave në Senat e ka thirrur Kennedyn në një seancë dëgjimore mbi planin e tij “Make America Healthy Again”.
Por ai pritet të japë shpjegime edhe për shkarkimet dhe shkurtimet e planifikuara në buxhet, të cilat kritikët thonë se po shkatërrojnë aftësinë e vendit për të parandaluar sëmundjet, përcjell NBC.
Kennedy kohët e fundit shkarkoi Susan Monarez, një shkencëtare e njohur qeveritare që e kishte emëruar drejtuese të CDC-së për më pak se një muaj, ndërsa ka kërkuar të riformësojë politikat e vaksinave në SHBA duke reflektuar dyshimet e tij të hershme mbi sigurinë dhe efektivitetin e vaksinave të njohura.
Përplasja e Kennedy-t me senatori Michael Bennet
Senatori demokrat Michael Bennet nga Kolorado ngriti shqetësime për emërimet e Kennedy-t në panelin këshillues të vaksinave të CDC-së, mes të cilëve ka persona që kanë kritikuar vaksinat dhe shpërndarë dezinformata. Paneli pritet të rishikojë rekomandimet për disa vaksina të zakonshme të fëmijërisë.
“A duhet të jenë prindërit dhe shkollat në Kolorado të përgatitura për më shumë shpërthime fruthi si pasojë e kësaj? Po për shytat?” pyeti Bennet.
Kennedy u përgjigj se nuk e parashikon një ndryshim në rekomandimet për vaksinën kundër fruthit, shytave dhe rubeolës, por shtoi se mendon se prindërit duhet të kenë të drejtën “të bëjnë zgjedhjet e tyre.”
Debati u përshkallëzua shpejt në tone të ashpra, me britma dhe akuza të ndërsjella për shmangie të pyetjeve.
“Pyetjet i bëj unë,” tha Bennet me zë të lartë. “Kjo nuk është një podcast. Është shëndeti i popullit amerikan që është në rrezik.”